Një kosovar dhe një gjerman inskenojnë ndeshjen për të mashtruar sigurimin

Dy burrat e përfshirë në “përplasje”, një shtetas i Kosovës dhe një i Gjermanisë, nuk kanë pësuar asnjë lëndim
Policia e kantonit të Cyrihut ka kapur në vepër, sipas saj, dy mashtrues të dyshuar të sigurimeve: Dy personat janë përfshirë në një përplasje të inskenuar makinash në Birmensdorf.

Që në momentin kur policët kanë regjistruar rastin, të hënën, ata kanë dyshuar se mund të bëhej fjalë për një aksident të rremë, shkruan agjencia e lajmeve, Keystone-SDA.Dy burrat e përfshirë në “përplasje”, nuk kanë pësuar asnjë lëndim, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për një 46-vjeçar, shtetas gjerman dhe një 50-vjeçar, shtetas të Kosovës, të cilët janë dërguar në polici për sqarime të mëtejshme.

Gjatë marrjes në pyetje është konfirmuar dyshimi, thuhet në deklaratën e Policisë së Kantonit të Cyrihut, të dhënë të premten.

Por cila ishte arsyeja që kishte bërë policinë të dyshonte se aksidenti mund të ishte bërë me inskenim? Autoritetet policore të pyetur nga agjencia e lajmeve në fjalë nuk kanë pranuar të zbulojnë këtë.

Tani, të dy burrat duhet të përgjigjen para prokurorit publik për mashtrimin e sistemit të drejtësisë dhe për tentativë mashtrimi, përcjell albinfo.ch. Dy makinat e dëmtuara janë sekuestruar.