Në Gjykatën Themelore – Shkup, sot duhet të mbahet seanca e parë gjyqësore kundër ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas padisë për fyerje dhe shpifje nga Lëvizja Ndërkombëtare Maqedonase për të Drejtat e Njeriut (LNMDNJ).
Ministri është paditur për shkak të deklaratës së tij në tetor në televizionin bullgar “BTV” se kjo organizatë qëndron pas financimit të klubit maqedonas “Nikola Vaptsarov” në Bllagoevgrad, përcjell INA. Ministri Osmani është bazuar në të dhënat e ofruara nga MPJ.
“Osmani është kundër të gjithëve që do të shprehin mospajtim me regjimin dhe me politikat amerikane antimaqedonase dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare. Deklaratat e Osmanit janë të rreme, fyese dhe shpifëse për LNMDNJ dhe për kryetarin e organizatës, Bill Nikolov. Regjimi në Maqedoni u vendos në pushtet nga Shtetet e Bashkuara dhe vazhdon të ketë mbështetjen e tyre të plotë, për të zbatuar me forcë ndryshimin e paligjshëm të emrit, si dhe qëllimet e tjera të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizje, që padinë e ka ngritur më 27 janar 2023. (INA)