Një mesazh dedikur për mësuesen Lule, mësueses sime të shpirtit, nga Anuari!

0

Një letër përplotë emocion dhe e dalur nga thellësia e shpirtit të një nxënësi 11 vjeçar nga Kumanova ka prekur shumë prindër dhe mësimdhënës.

Bëhet fjalë për nxënësin Anuar Imeri nga shkolla fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, i cili i ka shkruar një letër emocionuese mësueses së tij të deritanishme Lulzime Kadriu, pas përfundimit të klasës së pestë dhe ndarjes me të.

Ja letra e plotë e Anuarit:

Një falënderim të madh për të gjitha mësueset e në veçanti për mesuese Lulen, besoj se shumica prej jush e njihni. Sot e falenderoj nga zemra për mundin e bërë brez pas brezi.

Nje mesazh dedikur per mesuese Lulen. Mësueses sime të shpirtit, nga Anuari!

Po e filloj një letër, të cilës si vë titull assesi, meqë fjalët e nxjerra nga goja e njeriut e të shkruara nga dora e tij do të ishin të mangëta për ndjesinë time që dua ta shpreh në këtë letër.

Më kujtohet si sot dita e parë që jemi takuar, dhe lotët që më përshkojnë sytë janë dëshmitarë për emocionin që kam ndjerë. Isha një fëmijë në mesin e shumë të tjerëve, por fëmijë me një kurajo të madhe, meqë do të takoja një njeri me emrin e së cilës unë isha rritur.

Mësuese me miliona herë emrin tuaj e kisha dëgjuar në shtëpi, që në hapat e mi të parë e kisha kuptuar që unë dikur do ta kem një mësuese me emrin Lule, meqë ti kishe qenë mësuesja e familjes, mësuese e cila kishe mësuar e edukuar thuajse tërë fëmijët e familjes sime të afërt, të cilët nga dashuria dhe përkushtimi juaj kishin ngelur më se të kënaqur dhe ishte pikërisht kontributi juaj që kishte ndikuar në krijimin e tyre njerëzor e intelektual.

E mbaj mend ditën e parë të klasës së dytë, emocionet që ka bartur ajo ditë për mua, e për prindërit e mi padyshim. E ndieja kënaqësinë në sytë e nënës sime, e cila me zemrën plot po e linte djalin e saj në duart e një gruaje me zemër të madhe e me karakter tejnjerëzor. Këtë ajo e kishte të dëshmuar, nga ajo që ju kishit bërë për edukimin e djalit të saj të parë.
Mësuese, unë nuk kam pasur emocione vetëm ditën e parë, por çdo ditë që dëgjoja zërin Tuaj, meqë më shtohej shumë e më shumë dashuria ndaj jush, edhe dashuria ndaj dijes e suksesit padyshim.

Iku një kohë e gjatë që atëherë, dhe në këtë jetë kam dëgjuar që çdo gjë ka fundin e vet, edhe bashkëpunimit tonë po i vjen një ndarje formale, sepse në të vërtetë ne s’ndahemi kurrë. Përjetësisht unë do të mbetem nxënësi juaj e ju mësuesja ime, ajo e cila ka vënë themelet e diturisë sime, themele që nuk luhaten leht dhe do ta mbajnë një perandori të tërë diturish që unë do ta krijoj.

Unë s’kam fjalë lamtumire, por kam fjalë mirënjohjeje. Ju falemnderit deri në qiell për çdo gjë që keni bërë për mua dhe për të gjithë fëmijët e tjerë! Një gjë do t’Jua premtoj, unë do të bëhem krenaria Juaj, por para Jush do të mbetem Anuari 7-vjeçar.