Një shqiptar i pikturuar në Londër!

Enver Robelli

Më 1939 piktori i famshëm austriak Oskar Kokoschka do të takojë në Londër një shqiptar. Jo një dosido, por një burrë zotni. Emri i tij: Çatin Saraçi. Diplomat në përfaqësinë e Shqipërisë në Londër. Piktor. Kokoschka pati ndikim të madh në veprën e Saraçit. Miqësia e tyre qe e madhe. Aq e madhe, saqë Oskar Kokoschka i bëri një portret Çatin Saraçit. Kokoschka ishte kundërshtar i madh i nazizmit, ai ishte i traumatizuar nga Lufta e Parë Botërore dhe nuk dëshironte të jetonte në Austri në një atmosferë agresive politike, andaj iku në Londër. Deviza e tij e angazhimit ishte kjo: me humanizëm kundër barbarisë! Ndërsa pikturat e tij shpalosen gjithandej botës, trashëgimia letrare e Kokoschkas gjendet në Bibliotekën Qendrore të Zürichut: panorama, dorëshkrime, partitura, letra, një ekzemplar i veprës “Orfeu dhe Euridika”, vizatime etj.