Një substancë kancerogjene zbulohet në fruta në Poloni, kujdes!

Pesticidet e ndalura dimethoate dhe ometoate u zbuluan në qershitë e ngrira në tregun belg. Këto qershi me origjinë nga Polonia u shpërndanë në Kroaci, Francë dhe Holandë përveç Belgjikës.

Fruti popullor tërhiqet urgjentisht nga tregu për shkak të pranisë së pesticideve të ndaluara dimethoate dhe ometoate, njofton Qendra Evropiane për Paralajmërim të Shpejtë në Trafikun Ushqimor, transmeton Danica.hr.

Rreziku është serioz dhe gjurmët e pesticideve janë zbuluar në produkt gjatë kontrollit zyrtar të tregut. Vendi i aplikimit është Belgjika, dhe origjina e frutave është Polonia, vëren Qendra Evropiane.

Ky pesticid më parë përdorej më së shumti për të kontrolluar mizën tek ullinjtë, qershitë dhe vishnjat. Komisioni Evropian miratoi një masë që ndalon zgjatjen e miratimit të substancës aktive dimethoate, në mënyrë që të hiqet plotësisht në BE nga tetori 2020.

Disa studime shkencore të kryera në Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar se ngrënia e ushqimit të trajtuar me dimethoate mund të rrisë rrezikun e kancerit. Agjencia Evropiane e Sigurisë Ushqimore paralajmëroi në prill 2016 se ky pesticid mund të jetë i dëmshëm për njerëzit.

Dimethoati, sipas interpretimeve shkencore, është insekticid organofosforik që shkakton stres oksidativ dhe dëmton shumë organe, përfshirë edhe ato riprodhuese, transmeton Danica.hr. (INA)