Finance Think, në partneritet me organizata të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut, ka prezantuar versionin e përmirësuar të platformës për monitorim “KOMPAS” (https://kompas.financethink.mk), e cila ndjek zbatimin e 139 premtimeve qeveritare në pesë fusha prioritare: socio-ekonomi, arsim, shëndetësi, të rinj dhe barazi gjinore.
Sipas të dhënave, vetëm 13% e premtimeve janë realizuar plotësisht, ndërsa 37% janë në zbatim. Fusha me përparimin më të madh është arsimi, me 24% të masave të zbatuara dhe 70% në proces. Në anën tjetër, më pak progres ka në barazinë gjinore, ku nuk është realizuar asnjë masë.
Në fushën socio-ekonomike, janë realizuar disa premtime kyçe si ruajtja e normave tatimore, mbështetja për pensionistët dhe përfitime për bizneset, por disa reforma strukturore, si ulja e ekonomisë informale dhe deficitit buxhetor, janë në rrezik nga devijimi.
Në shëndetësi ka filluar zbatimi i disa reformave, por sektori përballet me sfida si mungesa e kuadrit, digjitalizimi i pamjaftueshëm dhe akses i kufizuar për qytetarët. Edhe për të rinjtë ka hapa institucionalë, por zbatimi i masave konkrete mbetet i ulët.
Platforma “KOMPAS” mbështetet nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.(INA)