Një vit më parë, 23 qershorin e 2024, u nda nga jeta në mënyrë të papritur gazetari i njohur dhe shumëvjeçar, Isuf Kadriu, në moshën 52-vjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin të Shqipërisë, ku ai po qëndronte për pushime me familjen, dhe ku pësoi një sulm kardiak fatal.
Kadriu kishte një karrierë mbi dy dekada në gazetari, duke lënë gjurmë të thella në informimin profesional dhe të paanshëm të opinionit publik.
Prej vitit 2008 ishte pjesë e redaksisë së televizionit Alsat-M, ku mbante funksionin e zëvendëskryeredaktorit deri në ditët e fundit të jetës.
Veprimtarinë e tij profesionale e nisi në vitin 1998 në televizionin ERA, për të vijuar një vit më pas në Programin në Gjuhën Shqipe të Televizionit të Maqedonisë së Veriut, ku për afro dhjetë vite kontribuoi si redaktor i lajmeve dhe një periudhë të shkurtër edhe kryeredaktor.
Që nga viti 2001, Kadriu ishte gjithashtu korrespondent i përhershëm i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi, ku njihej për raportimet e balancuara dhe analizat e thelluara për çështjet politike dhe shoqërore në vend.
Me prejardhje nga Kumanova, por i vendosur prej kohësh në Shkup, Isuf Kadriu la pas një emër të respektuar në komunitetin mediatik si një gazetar me integritet, etikë profesionale dhe qasje të matur ndaj ngjarjeve.
Ai u nda nga jeta duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi profesionale të vlerësuar nga kolegë, bashkëpunëtorë dhe publiku.
Isuf Kadriu do të mbetet në kujtesën e gazetarisë shqiptare si një zë i matur, i saktë dhe i pandikuar, që e respektoi fjalën dhe publikun deri në fund.(INA)