Almir Drnda i cili jeton në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës, Sarajevë, dhe i cili ka humbur këmbën e majtë në një aksident gjatë fëmijërisë së tij, nuk heq dorë nga pasioni i tij për ski pavarësisht nga aftësitë e kufizuara, raporton Anadolu.
Skiatori i amputuar Drnda është bërë një emër i njohur falë skijimit të tij profesional në shpatet e malit Bjelasnica në Sarajevë. Veçanërisht për ata me aftësi të kufizuara Drnda është bërë frymëzim për shumë njerëz me historinë e tij të vendosmërisë. Në një deklaratë për Anadolu, 47-vjeçari Drnda tha se në moshën 8-vjeçare humbi këmbën e majtë në një aksident trafiku, por se kjo nuk e ka privuar atë nga jeta.
Duke u shprehur se donte të ishte shembull për më shumë persona me aftësi të kufizuara, Drnda tha:
“Vendi ynë doli nga lufta dhe ka njerëz të tillë mes nesh. Nuk është e vështirë, ata mund ta bëjnë këtë. Kur fillova të bëj ski isha i lumtur si një fëmijë i vogël. Shikoja se si fëmijët dhe njerëzit bënin ski dhe vërtet doja ta bëja dhe unë. Ndjenja e parë ishte e pabesueshme. Në fillim doja ta lija, por mora mbështetje nga njerëzit përreth meje”.
Drnda vuri në dukje se ka parë shumë postime për veten në rrjetet sociale dhe se ishte befasuar nga shumica e tyre. Pasi u shpreh se është i lumtur që bën ski, Drnda deklaroi: “Po ta kisha lënë do të kisha tradhtuar fëmijët, malin, veten dhe të gjithë. Do të isha mërzitur për këtë. Tani po e shijoj. Tashmë është një varësi. Unë jam pjesë e malit dhe e shijoj plotësisht. Njerëzit, mali janë të shkëlqyer, çdo gjë është e shkëlqyer. Kjo lumturi nuk ka masë”.
Ai tha se i pëlqen të frymëzojë njerëzit. “Një i ri mu afrua dhe më tha se isha ‘burim frymëzimi’. Ai filloi të bëj ski, gjë që më bëri të lumtur. Shpresoj që të vijnë më shumë njerëz me aftësi të kufizuara. Unë jam këtu, unë i ndihmoj ata. Kjo arrihet, nuk është e vështirë, asgjë nuk është e rëndë”, tha Drnda.