Njihuni me violinisten shqiptare Joana Kaimi, që performon në skenat e New York-ut!

0

Nga Enkeleda Bodini

Arti është një nga gjërat më të bukura që mund të bësh. Mbase nuk fiton aq shumë para, por fiton zemrat e miliona njerëzve, të cilët vetëm nën muzikën e instrumentave gjejnë paqe shpirtërore. Dhe të arrish këtë, nuk është pak. Njerëzit që performojnë art, janë njerëz të veçantë. E tillë është dhe Joana Kaimi, e cila është një violiniste e mrekullueshme në New York.

Joana ka lindur në Tiranë dhe që fëmijë jeta e saj është e lidhur me muzikën. Mamaja e saj ishte ajo që ia ushqeu këtë ndjenjë, e cila po ashtu kishte pasion për artin. Ajo e prezantoi të bijën me violinën kur ishte 5 vjeç, dhe ky instrument u bë “lodra” e saj e preferuar në fëmijëri pa të cilën nuk bënte dhe më pas, pasioni e puna e saj e përhershme.

Ndërsa rritej, ajo perfeksionohej, jo se ishte e detyruar, por sepse udhëhiqej nga pasioni, ndjenja pozitive që i falte çdo moment violina, si dhe nga dëshira për t’u ngjitur në skenat e mëdha që gjithmonë kishte ëndërruar.

Kështu, ajo nisi Universitetin e Arteve dhe e përfundoi me sukses. Më pas u bë pjesë e orkestrës simfonike të RTSH, duke punuar aty si violinë e parë për 8 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ajo gjithashtu ka dhënë performanca të jashtëzakonshme, në skenat shqiptare.

Si një vajzë që kishte dëshirë të madhe ta sfidonte veten, skena shqiptare nuk i mjaftonte, kështu që vendosi të largohej në New York, në 2019. Amerika kishte qenë gjithmonë ëndrra e saj dhe gjithmonë e kishte intriguar stili i jetesës. Një arsye tjetër, ishte dhe bashkimi me të shoqin, i cili jetonte në SHBA.

Zhvendosja në një vend të ri, me kulturë ndryshe, për Joanën nuk qe e lehtë, por ajo nuk di të dorëzohet, kështu u vu përballë sfidave dhe që të arrinte ku donte i thoshte vetes se pavarësisht të gjithave, asgjë nuk është e pamundur.

Dhe kështu është, nëse punon dhe ke një synim të qartë, të gjitha pengesat të bëhen arsye më shumë për të arritur ëndrrën.

“Unë i ofroj vetes sfida sepse nuk jetoj dot pa to. Asgjë nuk është e pamundur. Fushës së Artit në Amerikë i jepet një rëndësi e madhe mënyrës sesi performon, sa i talentuar je dhe sa i saktë je në atë që bën. Po ashtu, dhe konkurrenca është shumë e madhe”, tha Joana për abcnews.al.

Joana, ndërkohë që vazhdon shkollën për performancë disipline, edhe performon violinë në evente të ndryshme. Njëkohësisht jep edhe mësime violine fëmijëve, punë që e bën me një kënaqësi të dyfishtë. Sepse t’u ushqesh brezave të rinj art, është mision i vyer.

Tashmë, të gjithë artistët që Joana ka njohur dhe i ka pasur idhuj përgjatë rrugëtimit të saj, ajo i ka takuar dhe jo pak herë ka performuar edhe me ta. Madje para disa ditësh ka dhënë një koncert shumë të rëndësishëm në “Mozart Orchestra of New York”.

“Të jem në skenë më bën shumë të lumtur, sepse kam mundësinë të shpreh çdo ndjenjë që kam brenda vetes time dhe t’i dhuroj publikut momente të bukura qetësie, reflektimi, dashurie dhe nostalgjie që vetëm muzika mund të t’i japi”, tha Joana për abcnews.al.

Ajo thotë se ndihet e realizuar dhe gjithmonë ka besim në atë që bën. Ka disiplinën, durimin, talentin, fantazinë dhe kreativitetin. Por asnjëherë nuk është e kënaqur dhe përherë është në kërkim të përmirësimit të vetes në çdo aspekt.

“Gjithnjë duhet të përpiqesh të jesh ndryshe nga të tjerët dhe të sjellësh diçka të re nga vetja”.

Arti i muzikës klasike është në krizë kudo, sidomos tani në këtë kohë pandemie. Por gjithsesi mbetet i vlerësuar dhe shumë i dashur për ata njerëz që e kuptojnë, ata që e ndjejnë dhe ata që e ushtrojnë. Mesazhi i Joanës për të gjithë të rinjtë është të punojnë gjithmonë me ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen kurrë, sepse pengesat do të bëhen rrugëdalje e arritjes së ëndrrës tuaj./abcnews.al