Njoftim për qytetarët që skanojnë kupona fiskal në aplikacionin “TVSH-ja ime”

Aplikacioni “TVSH-ja ime” ka dy ditë që punon me vështirësi. DAP ka lejuar që të skadojë licenca për skanerin e kuponit fiskal. Nga ana tjetër, Drejtoria pretendon se bëhej fjalë për përditësimin e softuerit dhe po punojnë për menjanimin e problemeve.

“Rritja dhe zhvillimi i shpejtë i teknologjisë imponon nevojën për të përshtatur aplikacionin TVSH-ja Ime. Dhe në të kaluarën, ka pasur më shumë personalizime në aplikacion. Këtë herë, përditësimi i referohet leximit të barkodit në aplikacion, për të mundësuar skanimin e shpejtë, të lehtë dhe të avancuar të faturave në versionet e reja të sistemeve operative”, thonë nga DAP.

Mirëpo, nuk ka përgjigje se pse kjo është lejuar dhe nuk është vepruar me kohë.

Tv Alfa edhe pse u mundua të kontaktoj me drejtoreshën e DAP-it, Sanja Lukarevska, ajo të paktën sot nuk ishte e disponuar të komentonte për përditësimin e aplikacionit.