“Non-paperat” që trazuan Ballkanin – paralajmërohet edhe “non-paperi” Amerikan në dobi të Kosovës

Ideja për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve në Ballkan, nuk po shuhet. Kohën e fundit kanë filluar të publikohen disa “non-paper”, që janë pikërisht për këtë çështje, pra për ndryshimin e kufijve.

Kohë më parë, një ide të tillë e kishin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq. Një hap i tillë ishte ndaluar nga Kosova, në kohën kur Thaçi ishte president. Ai kishte diskutuar për këtë çështje me homologun e tij serb.

E së fundmi, një ide e tillë ka filluar të shfaqet përmes “non-paperave”. Pas atij slloven, dhe një tjetër i cili u tha se ishte nga Franca e Gjermania, së fundmi edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shkruar një të tillë.

Tashmë kur Kosova do të përballet me Serbinë në Bruksel, shfaqja e një ideje të tillë është mjaftë e rrezikshme për Kosovën. Me ndryshimin e kufijve ishte pajtuar dhe pajtohet Serbia, të cilës i konvenon çfarëdo ndryshimi apo shkëmbimi që bëhet. Mirëpo një gjë e tillë nuk i konvenon Kosovës, e cila edhe ashtu është tkurrur me territor. Profesori dhe analisti politik Sulejman Mehazi vlerëson se, këta “non-paperat” që rrjedhin janë nga armqitë e Kosovës, që kanë për qëllim trazimin e Ballkanit.

“Të gjitha “Non-paperat” e dalura kohën e fundit rrjedhën e kanë nga armiqtë e Kosovës, e armiqtë e Kosovës dihen cilët janë: Rusia, Serbia dhe pesë shtetet që se kanë njohur Kosovën, po dhe disa shtete evropiane që e kanë njohur Kosovën e në anën tjetër luajnë kartën e “Non-paperave”. Këto dokumente djallëzore të Non-paperavr” dalin nga ata që duan ta trazojnë Ballkanin me ripërsëritjen e luftërave të reja të shteteve ish-jugosllave, pasi këto “non-papera” prekin më së shumti shtetet brenda ish-Jugosllavisë që i konvenon Serbisë e askujt tjetër”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”. Ai shton se, është për të cekur se këto dokumente të “Paperave” jo rastësisht dalin nga evropianët që si duket duan të dalin jashtë rrjedhave politike gjeostrategjike amerikane.

“Dhe se qendra e interesave evropiane e ruse me anë të “non-papereve” është për të kundërshtuar ndikimin amerikan me anë të Kosovës e shqiptareve në përgjithësi. “Non-paperet e dalura radhazi, e para e Janshës e dalur nga Rusia, kjo e dyta nga evropianët, kurse “non-paperi” , i tretë pritet të dalë nga SHBA-ja në interes të Kosovës. Shkurt e qartë, “non-paperat” e fshehtë luajnë rolin ndjellakeqëse politike për Kosovën e shqiptarët në përgjithësi e në dobi të Serbisë”, përfundon profesori./BS