Sasho Novkoski është deklaruar si shqiptar dhe u punësua në Agjencinë e Aviacionit Civil të RMV-së.
Kjo Agjenci më 14 shtator të këtij viti pranoi Novkovskin në pozitën e këshilltarit/inspektorit për operacionet e fluturimeve në trafikun ajror, përcjell Alsat.
“Në bazë të rezultateve nga të gjitha fazat e përzgjedhjes, Komisioni i përzgjedhjes përgatiti një listë përfundimtare të kandidatëve dhe e dorëzoi te drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Tomisllav Tuntev, i cili e firmosi. Kundër këtij vendimi kandidatët e pakënaqur kanë 8 ditë të drejtë ankese në Agjencinë e Administratës”, thonë nga Agjencia e Aviacionit Civil.
Alsatkontaktoi drejtorin Tomisllav Tuntev, por nuk morëm përgjigje për përfaqësimin adekuat të etniteteve në Agjenci.
Jahi Jahiu është njëri nga themeluesit e sistemit operativ balancues. Sipas tij, ky mekanizëm nuk është menduar për të thelluar hendekun midis 80% të maqedonasve dhe 20% të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në vend. Jahiu tha se ligji nuk e ndalon komisionin që në gjuhën shqipe të zhvillojë intervistat me kandidatët, të cilët deklarohen shqiptar në konkurse publike.
“Komisionit, i cili bën intervistë me kandidatët për nëpunës administrativ, askush nuk mund t’ia mohojë të drejtën që gjatë intervistës mund të bëjnë pyetje që kanë karakter me gjuhën shqipe apo maqedonase për të verifikuar deri diku njohuritë gjuhësore të atij kandidati. Siç ka qenë përpara kur gjatë intervistës është kërkuar njohja e gjuhës angleze pa certifikatë, ne gjithnjë kemi bërë një intervistë të shkurtër me kandidatin edhe në gjuhën angleze. Komisioni këtë mund ta verifikoj përmes këtij procesi”, thotë Jahi Jahiu, Hartues i “Balancuesit”./Alsat