Të martën, më 11 korrik qytetarët e Shkupit do të shfrytëzojnë shërbimet e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik me numër të reduktuar, pasi një pjesë e shoferëve të kësaj ndërmarrjeje, nga ora 4:30 do të fillojnë grevë.
Ata kërkojnë rritje pagash si dhe respektim të të drejtave të punëtorëve, ndërsa ankohen se kërkesat e tyre, tashmë një kohë të gjatë po hasin në vesh të shurdhër.
“Ne nuk kërkojmë vetëm rritje të pagës, ne kërkojmë të drejta ligjore që nuk respektohen nga udhëheqësia e NQP, sikur nga ajo e kaluara ashtu edhe nga udhëheqësia e re, nuk paguhet puna jashtë orarit, që është obligim ligjorë, nuk paguhet ushqimi për punonjësit që punojnë natën. Punëtorët e NQP nuk kanë të drejtën e pauzës, disa punojnë më shumë se 8 orë, ndërsa ligji thotë se ata që punojnë më shumë se 6 orë kanë të drejtë për pauzë gjysmë orëshe. Shoferët nuk kanë kushte për siguri dhe shëndet gjatë punës, ata çdo ditë janë nën stres dhe probleme shëndetësore dhe nëse do të bëhej një kontroll I drejtë mjekësor, do të konfirmohej”, deklaroi Marjan Popovski, Kryetar i Sindikatit Spajs- Maqedoni.
Ata u bëjnë thirrje të gjithëve që atë ditë të mos pranojnë urdhëra për punë dhe t’u bashkangjiten në grevë.
“Për shkak të të gjitha vendimeve të marrëveshjes kolektive të nënshkruar nga ana e tyre dhe të pa implementuara në vepër, ne vendosëm për veprimtari radikale, respektivisht për grevë, pasi nuk arritëm mirëkuptim dhe marrëveshje me strukturat tona dhe duhej të ndodhte kjo. I ftoj të gjithë punonjësit e JSP-së pa dallim nëse janë anëtarë tanë ose jo, pasi këtë e bëjmë për të mirën e të gjithëve. Nga sindikatat tjera të NQP nuk morrëm miratim dhe as përgjigje pozitive, por megjithatë I ftoj të gjithë punonjësit të dalin, të shprehen pasi këtë e bëjnë për të mirën e të gjithëve”, tha Elizabeta Toshevska, kryetare e Organizatës sindikale Spajs në kuadër të NQP.
Ndërmarrja për Qarkullim Publik ka rreth 600 të punësuar, por sipas kësaj sindikate deri më tani rreth 180 kanë konfirmuar se do të protestojnë. /Alsat.mk