Nuk bëhet ky vend

Arbër Çeliku

Sa e sa vendas i kam migrantë
Thuajse gjithë fqinjët e parë
Rrethuar nga shtëpitë e tyre jam
Në errësirë të plotë jetoj

Tre gjenerata në mërgim
E katërta sapo ka zënë filiz
Në vendlindje muret shkretë mbetur janë
Me raste i shoh më pleqtë
Vijnë hareshëm dhe ikin kokëlëvarur
Nuk ngopen dot me shtëpinë e vet

E shoh fqinjin tim të parë, Xha Fejzën
As pensionin nuk e shijon ai
Nga mëngjesi në darkë rri në oborr
Nuk ndalet për asnjë çast
Kujdeset për barin, pemët, filizat
Sinurin e tij që e ka shumë për zemër
Zvicra nuk ia jep këtë ngrohtësi aspak

Sot vrojtuam bashkë ca këlyshë në rrugë
Rrinin të strukur në një qoshe
Nëna e tyre endacake vetëm i kishte lënë
Mbase në kërkim të ushqimit
U dhamë pak qumësht
Tundën bishtin në shenjë falënderimi
Lëkundi kokën dhe psherëtiu Xha Fejza
“Nuk bëhet ky vend, or burrë!”

Jeta e njeriut përbëhet nga gjërat e vogla
Për zemrën e mirë vend ka gjithçka:
Vendlindja, oborri, qentë endacakë
Filiza vazhdojmë të mbjellim prore
Por ja që toka jonë më nuk i mban

Cërvicë, 17 janar 2022