“Nuk do t’i privojmë vëllezërit nga BE-ja”, mandatari bullgar flet për revizion të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë

Para katër vjetëve u nënshkrua Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë mes Shkupit dhe Sofjes, kurse tani kandidati për kryeministër të Bullgarisë, Pllamen Nikollov nga partia “Ka popull të tillë” paralajmëron revizion.

“Si do të bëhet kjo saktësisht? Ndoshta me revizion të marrëveshjes. Por, ky është momenti kur Komiteti i Politikës së Jashtme të partisë “Ka popull të tillë”, duhet të mblidhet dhe të marrë një vendim. Nëse një ditë kemi mundësi të qeverisim dhe ky kabinet hyn në funksionet e tij, do të shohim çka duhet të ndodhë sa i takon linjës së politikës së jashtme”, tha Nikollov.

Ai shton se kabineti i tij nuk do ta ndjekë konfrontimin e deritanishëm.

“Nuk do t’u bëjmë pengesë vëllezërve tanë në cilëndo mënyrë dhe nuk do t’ua marrim mundësinë për një të ardhme evropiane në mënyrë të dhunshme ose në mënyrë të cilën e praktikojnë vendet e tjera të Ballkanit. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk do t’i mbrojmë interesat nacionale”, tha më tej Nikollov.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, shpreson se bisedimet do të intensifikohen pas formimit të Qeverisë së re në Sofje, gjegjësisht pas 15 gushtit me qëllim që të bëhet depërtim eventual që në shtator.

“Presidenca gjermane dhe portugeze kanë treguar se ekziston zgjidhje. Ato propozime i mori Presidenca sllovene dhe shpresojmë se pas formimit të Qeverisë pas 15 gushtit, do të mund të angazhohemi në mënyrë intensive që të realizojmë përparim të mundshëm në shtator. Ne jemi konstruktivë, të gatshëm që të hyjmë në një angazhim serioz diplomatik për t’i tejkaluar dallimet që kanë të bëjnë me pozicionet e shtetit, të cilat kuptohet dje edhe një herë u konfirmuan në Parlament”, deklaroi Osmani.

Ministri Osmani shton se bllokada nuk i konvenon asnjërës palë, kurse mandatari Nikollov është i pari nga Bullgaria i cili doli me deklaratë të tillë optimiste pas Rezolutës së miratuar në Parlamentin bullgar në vitin 2019. Nikollovi është doktor i filozofisë të së drejtës, politikës dhe ekonomisë. Në ueb-faqen e “Ka popull të tillë” është prezantuar si njeri me eksperiencë mbi 15-vjeçare në biznes dhe në sferën e menaxhimit me projekte. Anketat e opinionit publik tregojnë se ka mbështetjen e mbi 85% e qytetarëve të Bullgarisë. E nga ana tjetër, eurodeputeti bullgar Angell Xhambaski, me koment të ashpër lidhur me “vijat e kuqe” të Maqedonisë. Në letrën që ua dërgoi kolegëve të tij dhe ministrit të jashtëm gjerman Hajko Mas, shkruan:

“Në qoftë se respektohet ato “vija të kuqe”, Komisioni i Përbashkët i Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i formuar sipas Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, thjesht nuk mund të funksionojë. Qëllimi i saj parimor ishte t’i zgjidhë çështjet e hapura që kanë të bëjnë me historinë, kulturën, identitetin dhe gjuhën”, vlerëson eurodeputeti Angell Xhambaski.

Ai thekson se qëndrimi i Bullgarisë sa i përket çështjes historike nuk mund dhe nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh, siç thotë, sa “vija të kuqe” do të miratojë Kuvendi i Maqedonisë.