Nuk hiqet flamuri i Kosovës, vazhdon takimi i KS të OKB-së, Donika Gërvalla mposhti Rusinë

Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.

Pas fillimit të seancës, kryediplomatja Donika Gërvalla nuk ka ndryshuar prapavijën dhe flamuri i Kosovës po qëndron sërish prapa saj në ambientin ku ajo po qëndron. Zahir Tanin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit Gjeneral në fjalën e tij përmbledhi ngjarjet e gjashtë muajve të fundit, si zgjedhjet e fundit parlamentare, zgjedhjen e presidentes dhe situatën me pandeminë.

Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet për Kosovën ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin. “Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.

Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja e Kosovës të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë. “Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i është kundërpërgjigjur kryediplomatit serb Nikola Selakoviq, duke thënë se Kosova e pavarur është projekt i përmbyllur. “Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe do të ishte mirë për Serbinë sa më parë që e pranon këtë”, është shprehur Gërvalla. Na fjalën e saj Gërvalla para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka numëruar të bëmat e Serbisë fashiste mbi shqiptarët, ndërkaq ka përmendur edhe vrasjen e babait të saj, Jusuf Gërvalla. “Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë. Kemi gjithë interesimin për të normalizuar marrëdhënien me Serbinë. Kemi interesimin për perspektivën evropiane dhe jo atë të mesjetës. Jemi vend i vogël por i posaçëm. Jemi të vegjël por qëndrojmë drejt. Kemi miq të besueshëm dhe jemi të besueshëm për ta”, theksoi ministrja e jashtme e Kosovës.

Gërvalla përmendi edhe viktimat e luftës që tashmë janë përfaqësues në Parlament e Qeveri të Kosovës. “Kryeministri jonë ka qenë i gjykuar si student në një montim politik nga regjimi autoritar serb dhe është keqtrajtuar për më shumë se dy vjet në burgjet serbe. Nënkryetarja e Kuvendit është e mbijetuar nga një masakër ku nëna, gjyshja dhe dy vëllezërit e saj ishin vrarë. Ajo ishte gjetur me 16 plumba dhe me zor e mbijetuar. Një prej deputeteve tona me votën më të madhe është përdhunuar nga forcat serbe dhe e ka marrë përsipër që të shtyjë përpara këtë çështje. Asnjë prej përdhunuesve s’ka dalë para drejtësisë deri më sot”, theksoi ajo.
Gërvalla ka thënë se Serbia nuk po përballet me të kaluarën e saj gjenocidale dhe se kriminelët që janë autorë të më shumë se 13 mijë të vrarëve në Kosovë shëtisin të lirë në Serbi. “S’po flasim për ngjarjet e shekullit XIX19, por po flasim për tani. Viktimat janë gjallë dhe kryesit e këtyre veprave të pakuptimta që kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë viktima janë ende gjallë. Gëzojnë jetën në Serbi përmenden dhe përgëzohen për këto ngjarje. Këto viktima do të ishin 1.2 milionë rusë të vrarë, 2.6 milionë amerikanë apo 11.6 milionë kinezë të vrarë në më pak se një vit. Dhe bota ka parë që pak nga këta kriminelë janë ndjekur dhe atë sa për sy e faqe dhe janë shfajësuar”, theksoi ministrja e jashtme Donika, Gërvalla, duke shtuar Serbia është përgjegjëse për ndërhyrjet që ka bërë në shtetet tjera ballkanike duke kryer gjenocid në emër të Serbisë së Madhe.