Mario Mitaj nuk do të duhet të presë deri në fund të sezonit për të mësuar të ardhmen e tij, pasi vendimi për të ardhmen e tij tashmë është marrë.
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare pritet të bëhet një lojtar me të drejta i Al Itihad. Vetëm pak muaj në Arabinë Saudite, kanë mjaftuar që Mitaj të bindë drejtuesit dhe “sheikët” e klubit për të investuar më shumë tek ai.
I transferuar gjatë merkatos së verës nga Lokomotiva e Moskës në formë huazimi për shumën prej 3 milionë eurosh, marrëveshja përfshinte gjithashtu një opsion blerjeje përfundimtare prej 5 milionë eurosh. Kjo klauzolë nuk ka mbetur gjatë në pritje, pasi Al Itihad ka vendosur që ta aktivizojë atë që në janar, duke siguruar plotësisht shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Vendimi për të finalizuar blerjen e tij, vjen pas performancave të shkëlqyera që 21-vjeçari ka treguar në fushën e lojës.