“Nuk ka lëvizje”!, takimi maratonik në selinë e BDI-së

Në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël po vijon takimi disaorësh midis kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmeti dhe grupit të të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”.
Burime pranë takimit theksuan për INA se nuk ka asgjë të re dhe lëvizje nga pozicionet, pasi që Ahmeti nuk heq dorë nga ministrat aktual dhe zv/kryeministri Artan Grubi. “Nuk ka asnjë lëvizje”, tha për INA një burim nga takimi.

Ali Ahmeti në takim është përballë Musa Xhaferit, Izet Mexhitit, Blerim Bexhetit dhe Nevzat Bejtës, të cilët po kërkojnë përgjegjësi dhe largimin e ministrave, me theks të veçantë zv/kryeministrin Artan Grubi dhe rizgjedhje meritore në këtë parti. Në këtë takim po merr pjesë edhe nënkryetari Sadulla Duraku.

Ky takim pasoi pas një letre publike të zyrtarëve të lartë të BDI-së drejtuar Ali Ahmetit që t’i japë fund asaj që e kanë cilësuar si “sjellje arrogante dhe diletante të ekzekutivit në krye me Artan Grubin”. Në letrën publike ata thanë se politikat e deritashme kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve të partisë.

Por, Ahmeti deri tani nuk ka hequr dorë nga ministrat, por duke theksuar se BDI ka struktura që mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin dhe pa Izet Mexhitin. Ai ka thënë se bëhet fjalë për politika ditore për të cilat vlerëson se nuk janë të pamenaxhueshme. (INA)