Medai Shaholli
Dje integristët e kryesisë së DUI-t, në mbledhjen e paraparë kanë zgjedhur sekretarët e sektorëve të ndryshëm por, siç pritej kanakari i Ali Ahmetit nuk është ‘rrëzuar’ po përkundrazi, është rizgjedhur shef i kabinetit të kryeintegristit Ahmeti dhe nuk është shkarkuar as nga posti i zv.kryeministrt ashtu siç pretendonin ‘grupi i zjarrit’.
Zjarrëfiksi Ahmeti ka mundur sërish ta ‘platit’ revoltën e bubulakut të pafuqishëm vjeshtuk që nuk arriti të bëhej flakadan në kërkesat e tyre të pakënaqësisë së madhe dhe të xhelozisë së tyre për poste të larta brenda kampit.
Kësisoj, benjamini i Ali Ahmetit vazhdon të qëndrojë në majë të kupolës së integristëve si i përkdheluri i shefit dhe se të gjitha përpjekjet e ‘grupit të zjarrit’ duket se shkuan huq.
Tani e tutje Artan Grubi, do kapërdiset dhe do të kullandriset korridoreve për t’i bërë karshillëk të pakënaqurve edhe më bindshëm si shef kabineti në selinë e DUI-t, si personi më i afërt dhe më i besuar i Ali Ahmetit.
Ndërsa të gjithë të interesuarit e zhvillimeve politike brenda kampit integrist mendonin se ‘grupi i zjarrit’ do të ‘flakte tutje’ Artanin nga kupola e partisë, përkundrazi ai arriti ta ‘shuaj bubulakun’ e ndezur të pakënaqësisë brenda atij grupi dhe vazhdon të qëndrojë i pamposhtur nga flakët e venitura të ‘të kashtë’ së lagur.
Xhelozia, smira dhe makutëria për një çik pushtet ka bërë që grupi i zjarrit të shfaqin pakënaqësitë e tyre për postet dhe përgjegjësi që i janë akorduar disa personave dhe jo tyre sipas meritokracisë në parti.
Mbetet për t’u parë nëse ‘grupi i zjarrit’ do t’i bindet vendimeve të kryesisë së integristëve dhe Ali Ahmetit apo do t’i radikalizojnë qëndrimet e tyre ndaj pakënaqësisë që kanë me bashkëpartiakun e tyre Tani, si person i pamposhtur në garën e tyre tashmë të humbur për të ‘kapur poste’ partiake.