Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se krahas resurseve njerëzore mungojnë edhe automjete më të mira, sepse në këtë kohë mbulojmë një territor të madh në të gjithë komunat rurale, kurse kapacitetet kanë mbetur të njëjta për një kohë të gjatë
Urim HASIPI
Tetovë, 24 shtator – Rreth 800 zjarre janë regjistruar në rajonin e Tetovës dhe rrethinës deri në fund të muajit gusht. Ky është numër rekord I zjarreve në krahasim me vitet e kaluara, ku gjatë tërë vitit nuk ka patur më shumë se 600 intervenime nga ana e zjarrfikësve të Tetovës. Pritet që deri në fund të vitit numri të arrijë rreth një mijë intervenime nga ana e njësia e zjarrfikësve të Tetovës. “Kemi një rritje të numrit të zjarreve, ku deri më tani numri i intervenimeve është 780 intervenime. Vitin e kaluar e kemi mbyllur me 663 intervenime, ndërsa kanë ngelur edhe disa muaj deri në fund të vitit, që do të thotë se do të kemi shifra rekorde, sepse asnjëherë kaq shumë nuk ka patur zjarre në rajonin që mbulon njësia e zjarrfikësve në Tetovë”, deklaroi Avni Ameti, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Më shumë zjarre janë regjistruar në prona bujqësore, por nuk kanë munguar edhe zjarret nëpër objekte banimi, njoftojnë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.
“Kemi patur më shumë intervenime në hapësira të hapura, nëpër prona bujqësore ku bujqit pastrojnë arrat e tyre nga mbetjet, kurse më pas përmes zjarrit mundohen që të bëjnë pastrimin e tërësisht, kurse më pas e lënë zjarrin të ndezur, dhe përfshihen edhe prona tjera. Intervenime kemi pasur edhe në pyje, nëpër shtëpi banimi, kemi intervenuar në shuarjen e zjarreve nëpër vetura, në aksidente trafiku e kështu me radhë”, njoftoi Ameti.
Krahas gjithë këtyre intervenimeve, megjithatë mbetet problem kryesor angazhimi i numër më të madh të zjarrfikësve dhe disperzimi edhe në komuna tjera rurale.
“Kapacitetet tona dihen, ne kemi bërë edhe disperzimin e njësitit tonë në komunën e Zhelinës, që ka qenë një ndihmesë e madhe, planifikojmë disperzimin edhe në komunën e Bogovinës, Bërvenicës, Tearcës dhe Jegunocit që do të jetë një ndihmesë e madhe”, deklaroi Avni Ameti, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se krahas resurseve njerëzore mungojnë edhe automjete më të mira, sepse në këtë kohë mbulojmë një territor të madh në të gjithë komunat rurale, kurse kapacitetet kanë mbetur të njëjta për një kohë të gjatë. Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se problem janë ndezja e deponive dhe pronave bujqësore, të cilët sipas tij janë të qëllimshme. (koha.mk)