Ish komandant i logjistikës në Brigadën 115 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Azbi Nuredini, thotë se me moszgjidhjen e statusit të UÇK-së, shkelet neni i 9-të i Kushtetutës së RMV-së, shkruan gazeta Lajm.
Nuredini, porositi partitë maqedonase mos të bëjnë lojëra të dyfishta, por të mbështesin zgjidhjen e statusit të UÇK-së me ligj, siç u rregullua statusi i pjesëtarëve maqedonas të konfliktit, dy dekada më parë.
“Partitë politike maqedone duhet të heqin dorë nga loja e dyfishtë, për arsye se këtu nuk flitet për zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së vetëm, por flitet për zbatimin ose mos zbatimin e Kushtetutës, zbatimin ose shkeljen e Kushtetutës. Neni 9 i Kushtetutës e thotë qartë, gjithë qytetarët e RMV-së janë të barabartë para Kushtetutës dhe para ligjit. Në situatë kur ne kemi një ligj të miratuar për “Branitellat” që në vitin 2002 , drejtat e të cilëve burojnë nga konflikti me UÇK-në, ndërsa për UÇK-në nuk kemi ligj të miratuar, këtu kemi shkelje flagrante të Kushtetutës”, tha ish komandant i logjistikës në Brigadën 115 të UÇK-së, Azbi Nuredini, në një prononcim për gazetën LAJM.