Nuredini: Termocentralet kanë leje të integruar “A”, do të ketë kontrolle nëse respektohen standardet

Të gjitha termocentralet në vendin tonë kanë leje të integruar “A”. Ne gjithmonë kërkojmë që të gjitha institucionet të respektojnë standardet. Së bashku me Ministrinë e Ekonomisë do të bëjmë kontrolle dhe do të shohim nëse respektohen standardet, deklaroi sot ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në prag të sezonit dimëror në të cilin sipas paralajmërimeve, pjesa më e madhe e kapaciteteve energjetike në vend do të punojnë me thëngjill dhe mazut.

Sipas Nuredinit, vitet e fundit në vend ka një rënie të ndotjes së ajrit.

“Jemi në rrugë të mbarë. Nuk është asnjëherë e lehtë të zvogëlohet ndotja e ajrit, por ne e ndryshojmë mënyrën e ngrohjes në institucionet shtetërore dhe i përkrahim qytetarët me subvencione”, theksoi Nuredini, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Tetovë pas fillimit zyrtar të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve për Natura 2000 dhe CITES”.

Nuredini pret që me ligjin e ri të ketë kontrolle më efektive, i cili i hap mundësi Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor të bashkëpunojë me inspektorët lokal.