Për shkak të kësaj situate, këta nxënës kanë shumë mungesa dhe për të tejkaluar problemin e masave për përjashtim, ata kalojnë në nxënës të çrregullt dhe kështu vazhdojnë arsimin e mesëm duke dhënë provime
Vjollca SADIKU/Koha.mk
Viteve të fundit një pjesë e theksuar e nxënësve në shkollën e mesme komunale “28 nëntori” në Dibër, punësohen në disa sfera të biznesit, ku mungon dora e punës. Në këtë drejtim sidomos angazhimi në punë vërehet tek maturantët të cilët kryesisht punësohen si kamerierë dhe janë të angazhuar në kompani – Kall qendra që funksionojnë në qytet. Në një situatë të këtillë, ata shpesh mungojnë në orët e mësimit. Për shkak të kësaj situate, këta nxënës kanë shumë mungesa dhe për të tejkaluar problemin e masave për përjashtim, ata kalojnë në nxënës të çrregullt dhe kështu vazhdojnë arsimin e mesëm duke dhënë provime. Drejtoria e shkollës të vetme të mesme në Dibër, potencon se problemi është aktual dhe ka një rritje të nxënësve me korrespondencë.
Gjatë debatit që u zhvillua në seancë të Këshillit të Komunës Dibër rreth Raportit të punës të SH.M.K. “28 nëntori”, drejtori Ramadan Imeri tha se ka një rritje të nxënësve të rregullt të cilët angazhohen me punë. Aktualisht sipas tij prandaj ka edhe një rritje të numrit të nxënësve të cilët mungojnë në orë të mësimit dhe nga mësimdhënësit marrin mungesa të paarsyeshme. “Numri më i madh i nxënësve të cilët punojnë është nga radhët e maturantëve. Ata punojnë deri vonë në Kall qendrat apo në objektet shërbyese si kamerierë dhe shpesh herë mungojnë në orët e mësimit. Në përputhje me ligjin dhe rregulloret, ne si drejtori jemi të detyruar t’i informojmë këta nxënës se mund të merret masa e përjashtimit nga shkolla. Këta nxënës janë të detyruar me qëllim që të vazhdojnë shkollimin me korrespondencë, respektivisht si nxënës të çrregullt”, thotë drejtori Imeri.
Aktualisht në këtë shkollë ka mbi 40 nxënës të cilët kanë kaluar si nxënës me korrespondencë apo të çrregullt. Nxënësit thonë se janë të angazhuar me punë për të ndihmuar buxhetin familjar. Dukuria është prezentë me tendencë të rritet ky numër i nxënësve.
Gazeta KOHA bisedoi edhe me disa nxënës të cilët kanë qenë nxënës të rregullt, por që për shkak të mungesave të shumta kanë marrë status si nxënës me korrespondencë. R. V, aktualisht është nxënës me korrespondencë në shkollën e mesme dhe është viti i katërt. “Jam i angazhuar me punë më shumë se një vit në një kall qendër në qytet. Situata ekonomike e familjes kërkon edhe angazhimin tim në punë. Jam i kënaqur nga të ardhurat mujore, por është e vërtetë se kam patur shumë mungesa sidomos në orët e para të mësimit. Në kontinuitet kam qenë nxënës shumë i mirë. Prandaj kalova si nxënës me status të çrregullt. Besoj se edhe unë do ta përfundoj shkollimin e mesëm, ashtu siç do ta përfundojnë shkollimin edhe shokët e mi”, thotë bashkëbiseduesi në fjalë.
Takuam edhe prindin e tij F. V. ai rreth angazhimit me punë të djalit të tij potencon se ka qenë plani dhe dakordësia e të dyve që djali të angazhohet me punë. Kur është i lirë ai mëson dhe sidomos kur i kanë provimet ka një angazhim maksimal. Flet bukur gjuhën anglishte dhe prandaj ka shumë sukses edhe në punë. ”Nuk e kuptoj sistemin e arsimit në vendin tonë. Ne nuk jetojmë në një shtet me standard të lartë prandaj edhe më çudit fakti se përse shkollimi i mesëm është obligativ tek ne. Familjet me probleme sociale ekstreme nuk kanë mundësi të mbijetojnë nëse nuk angazhohen edhe fëmijët. Po duhet ta kuptojmë se ne nuk jemi Norvegji, Suedi, etj”, shton prindi. Gjatë bisedimeve që patëm edhe me nxënës të tjerë por edhe prindër vlerësuam se ka mundësi të rritet numri i nxënësve që nga nxënës të rregullt kanë kaluar si nxënës të çrregullt. (koha.mk)