Në shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë. Edhe pse kishte disa kërkesa që fillimi i mësimit të jetë online dhe jo me prani fizike, është vendosur që megjithatë mësimi të zhvillohet me prani fizike.
Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike dhe vlerësimit se vendi është në pikun e infektimit me KOVID, mësimet nuk kanë filluar më 20 janar dhe janë shtyrë për dhjetë ditë me rekomandim të Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizave dhe me vendim të Qeverisë.
Përkundër fillimit të zgjatur, viti shkollor 2021/2022 do të përfundojë në afatin e rregullt – 10 qershor 2022 dhe për këtë Qeveria në një seancë tashmë ka përcaktuar numrin e ditëve mësimore në rrethana emergjente. Në të gjitha shkollat (fillore dhe të mesme) janë përcaktuar 172 ditë mësimi, me përjashtim të gjimnazistëve të vitit të fundit për të cilët janë përcaktuar 158 për shkak të detyrimeve për maturën shtetërore dhe dhënies së dy provimeve eksterne të planifikuara në datat 4 dhe 13 qershor.
Qëndrimi i autoriteteve në shëndetësi dhe arsim është që viti shkollor, si dhe në gjysmëvjetorin e parë, të vazhdojë me prezencë fizike, me aplikimin e protokolleve.
Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi”, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) dhe opozita VMRO-DPMNE kërkuan këto ditë nga Qeveria që ta rishqyrtojë vendimin dhe të vazhdojë mësimin online, sepse shifrat e të sapoinfektuarve me KOVID-19 janë të larta, riinfeksionet janë të shpeshta për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit omicron.
Sipas ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, vendimi është marrë pasi është vlerësuar se situata epidemiologjike mundëson mësimdhënie me prezencë fizike.
“Sipas të dhënave tona, për momentin nuk ka nevojë për mësim online. Situata epidemiologjike ndryshon çdo javë, dhe bazuar në ato të dhëna, ne marrim vendimet”, theksoi ministri Sali.
Ai dje bëri të ditur se Komisioni për Sëmundjet Infektive sot në mbledhje do të vendosë se si dhe kur do të realizohet skriningu në shkolla dhe do të bëhet nga qendrat e shëndetit publik që mbajnë evidencë për të gjitha rastet pozitive. Edhe ministri i linjës, Jeton Shaqiri, theksoi se situata do të monitorohet vazhdimisht dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Shtabin e Krizave.
Në marrjen e vendimit është marrë parasysh thirrja e shkollave të UNICEF-it për të qenë të hapura për shkak të përfitimeve të pranisë fizike në mësim. Pas vendimit të Qeverisë së datës 17 janar për shtyrjen e fillimit të gjysmës së dytë të vitit, Zyra e UNICEF-it në vend ka kërkuar menjëherë që kjo të jetë masë e përkohshme. (INA)