Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, James O’Brien në intervistën për emisionin “360 shkallë” ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut ka struktura të caktuara politike që janë kundër BE-së, por ka nga to që marrin edhe para nga vende të caktuara për të qenë kundër këtij procesi, përcjell INA.
“Ne mbështesim fuqimisht aspiratat e Maqedonisë së Veriut për BE – kjo është një aspiratë e qartë e shumicës. Keni të drejtë, disa struktura politike mendojnë ndryshe, disa mund të marrin para nga disa vende…Por unë mendoj se shumica dëshiron të jetë pjesë e Evropës dhe ne e mbështesim këtë”, tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien për “360 shkallë”.
Ai shtoi se ndryshimet kushtetuese janë një kompromis konkret që është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE dhe tha se çdo vend apo rajon vjen nga vende ku ka pasur konflikte, por janë lënë mënjanë për të qenë bashkë në BE.
Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së tha se kompromisi specifik para vendit është arritja e qëllimit – hyrja në BE.(INA)