OBSH flet për valën e dytë të infektimeve: Europa goditet në dimër, mos festoni

0

“Vala e dytë e koronavirusit, akoma më e fortë se e para, do të godasë Europën në dimër” paralajmëruan ekspertë të OBSH-së, të cilët shprehin shqetësimin se Covid-19 do të koinçidojë atëherë me shpërthimin e sëmundjeve të tjera infektive.

Në një intervistë ekskluzive për daily Telegraph, Dr Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Europën, bëri një paralajmërim të fortë duke thënë se është koha për t`u treguar të kujdesur e për t`u përgatitur, jo për të festuar.

Edhe pse rastet në vende si Britania e Madhe, Franca apo Italia janë në rënie të ndjeshme, kjo nuk do të thotë sipas tij se epidemia u zhduk krejtësisht. Epiqendra e saj, nga sa thotë eksperti, është zhvendosur në Lindje, me infektimet që shtohen dita ditës në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi e Kazakistan.

Më herët, edhe drejtoresha e agjencisë së BE-së për këshillimin e qeverive rreth kontrollimit të sëmundjeve, Andrea Ammon, foli për valën e dytë. Ajo nuk e shtron pyetjen nëse do të ndodhë, por kur dhe në çfarë shkalle.

“Tani nuk është koha për tu relaksuar krejtësisht. Nisur nga karakteristikat e virusit, ende 85-90 për qind e popullsisë është e ekspozuar ndaj infektimit me Covid-19. Virusi është rreth nesh, në qarkullim. Nuk dua të krijoj këtu një tablo të zymtë, por mendoj se duhet të jemi realistë”, u shpreh ajo./TCH