OBSH: Koronavirusi nuk ka gjasa të përfundojë deri në fund të vitit

Pavarësisht përhapjes së Covid-19 që ngadalësohet në disa vende për shkak të bllokimeve dhe programeve të vaksinimit, është akoma heret për të menduar se pandemia do të përfundojë në fund të këtij viti, tha drejtori ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetit, shkruan The Guardian.

Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Dr Michael Ryan tha se vaksinimi i njerëzve më të prekshëm, përfshirë dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, do të ndihmonte në heqjen e frikës dhe do të lehtësonte presionin në spitale, duke e mbajtur virusin në kontroll.

“Do të jetë shumë e parakohshme dhe joreale, të mendojmë se virusi do të përfundojë këtë vit”, tha Ryan.

Numri i infeksioneve të reja globale u rrit javën e kaluar për herë të parë në pothuajse dy muaj. Rastet e raportuara u rritën në katër nga gjashtë rajonet e OBSH-së: Amerika, Evropa, Azia Jug-Lindore dhe Mesdheu Lindor.

“Kjo është zhgënjyese, por jo për t’u habitur”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ne jemi duke punuar për të kuptuar më mirë këto rritje të transmetimit. Disa prej tyre duket se janë për shkak të lehtësimit të masave, qarkullimit të vazhdueshëm të varianteve dhe njerëzve që nuk karantinohen dhe pse janë me virus”.

Tedros gjithashtu theksoi pabarazinë në aksesin e vaksinave, si shkak i vonesës së mbarimit të pandemisë./abcnews.al