Oferta studimore e UEJL-së me programe të reja dhe lehtësime të shumta financiare

Universiteti i Evropës Juglindore, gjatë javës së kaluar e shpalli të hapur Konkursin për regjistrimin e studentëve të ri në vitin akademik 2021-22, ku gati se në të gjitha fakultetet ofrohen programe të reja akademike dhe lehtësime të shumta financiare.

Studentët e ardhshëm, do të kenë mundësi të zgjedhin ndërmjet 27-të drejtimeve studimore, që ofrohen në pesë fakultetet ekzistuese të këtij institucioni të lartë arsimor, sipas sistemit tre dhe katërvjeçar. Pakoja e bursave, po ashtu këtë vit është plotësuar me komponentin social, duke ofruar bursa meritore për nxënësit super të shkëlqyeshëm, por që nuk kanë mundësi financiare të vazhdojnë studimet universitare.

Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, këtë vit, ofron tre programe të reja studimore, kryesisht nisur nga kërkesat e tregut, edhe atë: Analitikë Biznesi, Biznes i Aplikuar dhe Energjia, Ekonomia dhe Mjedisi. Në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, përveç drejtimeve të tjera këtë vit ofrohet mundësia e studimit në drejtimin Përkthim dhe Interpretim nga Gjuha Maqedonase në Gjuhën Shqipe dhe anasjelltas. Me sukses të theksuar është duke funksionuar Arkitektura dhe Dizajni, i cili drejtim ofrohet edhe këtë vit në kuadër të Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, mes drejtimeve tashmë të etabluara në tregun e punës, Shkencat Kompjuterike, Inxhinieria Kompjuterike dhe Informatika e Biznesit. Në kuadër të Fakultetit të Drejtësisë ofrohen drejtimet studimore të suksesshme siç janë: Informatika Juridike, Kriminalistikë dhe Siguri dhe Studime të Drejtësisë. Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore këtë vit, po ashtu e ka plotësuar ofertën me programe atraktive dhe në përputhje me kërkesat e tregut, edhe atë: Menaxhim Publik dhe Politikat Publike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkencat Politike dhe Punë e Politikë Sociale.

Pakoja e bursave meritore ua mundëson të gjithë maturantëve të shkëlqyeshëm të fitojnë bursë sipas suksesit të merituar në shkollën e mesme. Maturantët që kanë arritur sukses të shkëlqyeshëm 5.00, fitojnë 60 për qind të pagesës së shkollimit dhe të tjerët që kanë sukses 4.5-4.99, fitojnë bursë që mbulon 40 për qind të pagesës së shkollimit.

Risi këtë vit është pakoja e bursave sociale, e cila mbulon 80% të pagesave të shkollimit dhe studenti përveç kritereve të meritës duhet t’i plotësojë edhe kriteret sociale, që nënkuptojnë nivelin e të ardhurave mujore/vjetore të familjeve të studenteve aplikant. Target kryesor i kësaj kategoria të bursave janë aplikantët me suksese të dalluara jo vetëm në shkëlqyeshmëri, por edhe në pamundësi ekonomike.

Përveç pakos së bursave të drejtpërdrejta, UEJL u mundëson studentëve të angazhohen në punë administrative në kuadër të programit “Puno dhe Mëso”. Orët e angazhimit në punë paguhen nga Universiteti dhe u llogaritën gjatë pagesës së shkollimit. Përveç përfitimit financiar studentët fitojnë edhe përvojë konkrete në administratën universitare.

Universiteti i Evropës Juglindore llogaritet si njëri ndër universitetet më të mira në vend dhe në rajon për cilësinë në mësimdhënie dhe kuadrin që prodhon. Alumnit e këtij universiteti janë angazhuar në të gjitha sferat e shoqërisë, duke u dalluar si ekonomistë të zoti, udhëheqës kompanish të njohura, staf akademik të suksesshëm dhe kudo në institucione të tjera qoftë në sektorin privat, qoftë në sektorin publik.