OKB-ja paralajmëron krizë ushqimore

OKB -ja ka paralajmëruar për krizën ushqimore, e cila prek shumë rajone të botës në zhvillim. Afro 1 milion njerëz në mbarë botën janë të rrezikuar nga uria dhe janë në rrezik të vdekjes në muajt e ardhshëm nëse nuk marrin ndihmë humanitare, një numër rekord kryesisht për shkak të thatësirës në Bririn e Afrikës. ka paralajmëruar OKB-ja.

Këto vlerësime janë publikuar në një raport ditën e djeshme nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP). Raporti paraqet situatën e 19 vendeve që konsiderohen si “pikat e nxehta” në të gjithë botën dhe gjashtë prej të cilave janë vënë në “gadishmërinë më të lartë” nga OKB: Afganistani, Etiopia, Nigeria, Sudani i Jugut, Somalia dhe Jemeni.

Në këto gjashtë vende, 970,000 njerëz pritet të plotësojnë kriteret për fazën e “katastrofës”, niveli më i lartë (5) në renditjen e pasigurisë ushqimore, deri në janar 2023. Kjo do të thotë se “uria dhe vdekja janë një realitet i përditshëm” dhe se kjo është një situatë në të cilën “mund të regjistrohen shkallë ekstreme të vdekshmërisë dhe kequshqyerjes nëse nuk merren masa të menjëhershme”.

Ky numër është dhjetë herë më i lartë se gjashtë vite më parë për shkak të ndikimit të konfliktit, ndryshimeve klimatike dhe paqëndrueshmërisë ekonomike të përkeqësuar nga pandemia Covid-19 dhe ndikimi i krizës në Ukrainë.

Biden njoftoi një paketë ndihme prej 2.9 miliardë dollarësh për të përballuar urinë. Udhëheqësit botërorë bënë thirrje të martën për përpjekje të dyfishuara për të menaxhuar pasigurinë ushqimore në rritje në botë.

“Numri i njerëzve që po përballen me pasiguri akute ushqimore në mbarë botën pritet të rritet me një ritëm marramendës”, paralajmëroi David Beazley, drejtori ekzekutiv i WFP.

Në Bririn e Afrikës deri në 26 milionë njerëz pritet të jenë në një situatë të tillë. Thatësira që ka prekur rajonin ka shkatërruar të korrat, ka zhdukur bagëtinë dhe ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Në mungesë të një përgjigjeje adekuate humanitare, analistët parashikojnë se deri në katër fëmijë ose dy të rritur për 10,000 njerëz do të vdesin çdo ditë në Somali deri në dhjetor,” tha OKB.