Olsian Çela është zgjedhur kryeprokurori i ri i Shqipërisë

0

Olsian Çela është zgjedhur kryeprokurori i ri i Shqipërisë. 101 deputetë në Kuvend votuan pro kandidaturës së Celës, i cili u rendit edhe i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Grupi parlamentar i PS kishte paralajmëruar se do të votonte pro kandidaturës së Çelës. Kryeprokurori i ri e ndoqi votimin nga llozhet e Parlamentit, ndërsa më pas bëri edhe betimin. E zgjedhur si Kryeprokurore e Përkohshme vetëm me votat e PS, Arta Marku qëndroi 2 vite në detyre si drejtuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Po ashtu kuvendi miratoi në parim me 92 vota pro, 15 kundër dhe 3 abstenim pr/ligjin për buxhetin 2020. Ndërsa me 112 vota pro miratuan aktin normativ për dhurimin e 17 apartamenteve për familjarët e viktimave të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Ai konsiderohet si ‘prokurori i dosjeve të forta’. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare. Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.