“One stop shop” në Tabanoc – Preshevë, nuk dihet se kur ja nis?

0

Me qëllim të përmirësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe tregtisë dhe lehtësimit të komunikacionit përmes kufirit shtetëror mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dje në Shkup u nënshkruan protokolle të posaçme për implementimin e Marrëveshjes për vendosje të kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion ndërkombëtar rrugor Tabanoc – Preshevë, mes institucioneve kompetente të të dy vendeve, përcjellë INA.

Ishte paralajmëruar në fillim të gushtit, më pas në fund të gushtit, por tani nuk ka ndonjë datë të saktë për projektin e përbashkët kufitar “One stop shop” në vendkalimin Tabanoc – Preshevë për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta.
Dje sërish është nënshkruar një protokoll mes sekretarëve shtetëror të MPB-së të dyja vendeve, dhe kjo pasoi pas parafimit të Marrëveshjes mes qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë në Beograd më 12 korrik.

“One stop shop është projekt me të cilin jemi posaçërisht krenar dhe sinqerisht shpresoj se ky do të jetë shembull i mirë për të gjitha shtetet në rajon. Nënshkrimi i protokolleve për zbatimin e Marrëveshjes mes Qeverive të Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Republikës së Serbisë për kontrolle të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion rrugor ndërkombëtar është dëshmi se fuqitë e përbashkëta, bashkëpunimi dhe përfshirja e institucioneve në fund rezultojnë me sukses i cili do të jetë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve”, tha Magdalena Nestorovska, sekretare shtetërore e MPB-së së Maqedonisë së Veriut.

Pas përfundimit të formaliteteve të tjera, së shpejti do të fillojë së funksionuari “One stop shop” në VK Tabanoc-Preshevë, thuhet në komunikatën e MPB, duke mos dhënë datë. (INA)