“Open Balkan” sërish ka futur në debate partitë politike të koalicionit në Maqedoninë e Veriut, përcjell INA.
Derisa LSDM dhe BDI i qëndrojnë akoma pas këtij projekti, ASH është kundër dhe kërkon të hiqet dorë nga ky projekt dhe ti jepet përparësi Procesit të Berlinit.
Por së fundi janë nxitur debate mbi këtë temë pasi që ministri i jashtëm, Bujar Osmani theksoi se do të rishqyrtohet pjesëmarrja në Open Ballkan nëse vërtetohet se Serbia ka gisht në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se qëndrimi i qeverisë së tij për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në nismën rajonale “Ballkani i Hapur” nuk ka ndryshuar dhe se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka paraqitur një “qëndrim partiak” për këtë çështje.
“Qëndrimi i Qeverisë mbetet i pandryshuar se si shtet kemi një rol konstruktiv dhe pjesëmarrje në të gjitha nismat rajonale, duke përfshirë Ballkanin e Hapur përderisa ato nisma sjellin përfitime konkrete për qytetarët, për shtetet, për ekonomitë, për bizneset e vendeve që janë pjesë e tyre”, u tha Kovaçevski gazetarëve në fund të samitit të tretë joformal të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.
Opozita shqiptare mbetet fuqishëm kundër nismës “Ballkani i Hapur”, iniciativë e cila për momentin siç thonë mbështetet vetëm nga Serbia dhe Qeveria e Maqedonisë.
Nga Lëvizja BESA, thonë se nisma Ballkani i Hapur, nuk është asgjë me shumë se sa futja e shqiptarëve nën kthetrat e Serbisë dhe Rusisë.
Ndërsa Izet Mexhiti nga LD theksoi se Ballkani i Hapur ka qenë proces i dështuar që në fillim, pasi të gjitha problemet në Ballkan e mbajnë emrin e Serbisë dhe Vuçiqit.
Kundër Ballkanit të Hapur ka dalë edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i cili këtë nismën e ka quajtur mekanizëm tanimë i abortuar nga i cili duhet hiqet dorë.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, thotë se nisma Open Balkan në fillim u cilësua nga Rama si projekti i shekullit, por përfundoi duke mos arritur asgjë.
“Ishte një vizion qesharak i Ramës, që donte të bënte diçka, por nuk bëri asgjë. E përdori Vuçiqi. Dhe, në një moment krize, kur nuk i dha as minimalen, lirimin e tre policëve [të Kosovës] – këtë meritë ia dha [kryeministrit të Hungarisë, Viktor] Orbanit, duke ditur peshën e tij në politikën e jashtme – Rama hoqi dorë. Unë mendoj se ishte një aventurë me pasoja për politikën e Shqipërisë, për besueshmërinë e vendit tonë”, thotë Nesho për REL-in.
Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Por kundër saj mbeten të rreshtuara Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. (INA)