Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski, dje sërish ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen një orë e më shpejt, pa qeveri teknike dhe me një zonë zgjedhore.
Mickoski në një deklaratë për media tha se nëse qeveria i frikësohet qeverisë teknike dhe nëse ajo është pengesë, atëherë VMRO-DPMNE është e gatshme të paraqesë ndryshime në Kodin Zgjedhor që të mos ketë qeveri teknike dhe kjo qeveri të mbetet. deri në momentin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Ne jemi të gatshëm të paraqesim ndryshime në Kodin Zgjedhor në të cilat nuk do të ketë qeveri teknike, gjegjësisht të mos ketë 100 ditë humbje të kohës së qytetarëve të Maqedonisë dhe do ta shfrytëzojmë afatin kushtetues prej 45 deri në 60 ditë” , theksoi Mickoski, përcjell INA.
Por, Qeveria pohon se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. LSDM theksoi se zgjedhje nuk do të ketë për shkak se është zgjedhur qeveria e re, ndërsa shumica parlamentare është rritur.
“Mickoskit i interesojnë vetëm zgjedhjet dhe se si të vijë në pushtet, edhe pse kundër janë edhe qytetarët edhe gjithë opinioni. Zgjedhje nuk do të ketë, është shtuar shumica parlamentare, është zgjedhur qeveria e re, Mickoski të ndalojë së penguari dhe ngacmimi i opinionit me dëshirat e tij personale”, thuhet në reagimin e LSDM-së me rastin e deklaratës së Mickoskit.
Kryeministri i ri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve kur u votua qeveria e re tha se nuk nevojiten zgjedhje të reja dhe se fokusi duhet të jetë përballja me krizën energjetike, përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve, reformat dhe integrimet evropiane.
Pas një debati dyditor në parlament, qeveria e re u zgjodh të dielën me 62 vota pro, 46 kundër dhe asnjë abstenim.(INA)