Opozita maqedonase ‘feston’ refuzimin e propozimit francez

Opozita në Maqedoninë e Veriut e ka vlerësuar si “fitore” të saj refuzimin që i bëri kryeministri Dimitar Kovaçevski propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

VMRO DPMNE-ja vlerëson se propozimi ishte “katastrofal për popullin maqedonas” dhe se pas reagimeve të saj dhe opinionit, Kovaçevski ishte i detyruar të refuzojë propozimin, që la në fuqi veton bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.
Opozita thotë se përgjegjësi duhet të ketë për shkak të “tentimit për mashtrimin e popullit maqedonas” se propozimi nuk cenonte interesat kombëtare maqedonase, njofton REL.

“Kovaçevski dhe Qeveria e tij menjëherë pas kthimit nga Brukseli janë të detyruar të dorëzojnë dorëheqjen në Kuvend. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, sepse kanë gënjyer opinionin maqedonas se nuk kanë negociuar, por në fakt kanë qenë pjesë dhe kanë shkruar dokumentin që nënkupton bullgarizimin e Maqedonisë”, ka deklaruar Dragan Kovacki, nga VMRO DPMNE-ja.

Propozimi francez përmban disa pika: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha të enjten në Bruskel se e refuzon propozimin francez pasi nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.