Mbahet sot protesta e opozitës, ku Partia Demokratike në orën 18:00 do të zbresë në shesh kundër qeverisë, në një protestë që është paralajmëruar të jetë atipike.
Në Kryesinë e PD dhe më pas në Këshillin Kombëtar u vendos që të jetë një protestë marshim në formën e mosbindjes civile dhe duket se kështu do të ndodhë.
Vetë organizatorët janë kujdesur që të mbajnë sekret skenarin. E vetmja gjë që dihet është se mbështetësit e opozitës do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe te selia e PD, teksa më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Aty nuk do të ketë fjalime, teksa më pas pritet që turma të lëvizë dhe do të bllokohen disa akse rrugore, por që vetë nga PD nuk ka asnjë njoftim zyrtar.
Mësohet se në terren do të jenë më shumë se 1 mijë forca policore, ndërsa vetë policia reagoi dje pasdite, ku bëri me dije se do të bllokohet qarkullimi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe më pas në disa akse rrugore, të cilat janë:
Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;
Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;
Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;
Kryqëzimi i Librit Universitar;
Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;
Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;
Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;
Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;
Kryqëzimi i urës së Taiëanit;
Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;
Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;
Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;
Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;
Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji. Ai u dënua me 1 vit burg për skandalin “Babale”.
Ndërkohë sot edhe ish-kryeministri Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje nesër, ndërkohë që deputetët të gjithë janë shpërndarë në bazë për të bindur qytetarët të bëhen pjesë e reagimit nesër.
“Nisim pra, për 23 orë betejën e jetës sonë. Betejën e shansit tonë historik, me të cilën ne nuk pranojmë kurrë më t’i dorëzojmë një kryekrimineli, një kryehajduti, atij dhe as mafies ndërkombëtare vullnein tonë, votën tonë. Nisim betejën për t’iu provuar shqiptarëve se kjo betejë nuk është betejë për pushtetin e Sali Berishën, përkundrazi kjo është betejë për pushtetin e shqiptarëve, kjo është betejë për pushtetin tuaj, kjo është betejë për të drejtat tuaja, për dinjitetin tuaj. Kjo është betejë për t’i thënë mafies shqiptare se ditë të zeza do të të presin përpara. Prite popullin opozitar! Priteni, priteni se po vjen. Se marshi i tij nuk ndalet kurrë. Se revolta e tij nuk shuhet kurrë. Se fitorja dhe vetëm fitorja është fati ynë. Miqtë e mi, beteja që nisim është betejë kundër propagandës së mashtrimit të rilindasve që mburren me vjedhjen e votës, të kësaj fare të urryer që me votat që vjedh garanton pasuritë e krimit, rrënon ligje e Kushtetutë. Poshtëron shqiptarë me të parë e të mbrapë”, tha Berisha në fjalimin e përnatshëm nga banesa e tij./oranews