Amnisti e plotë për rastin e njohur në opinion si “Organizatorët e 27 Prillit”. Me vendim të prerë të Gjykatës Penale – të akuzuarit Mile Janakieski, Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski lirohen nga çdo faj dhe ndaj tyre do të zbatohet Ligji për Amnisti i vitit 2018. Këtë vendim e ka marrë gjykatësi Ilija Tërpkov, pasi edhe prokuroria në seancën e kaluar doli me mendim se ata duhet të amnistohen. Edhe përkundër këtij vendimi, Tërpkov tha se mbetet në qëndrimin se qëllimi i ligjit të vitit 2018 nuk ishte amnistimi i organizatorëve, sepse kështu do të duket se autorët e këtyre ngjarjeve kanë hyrë në Kuvend me vetiniciativë.
“Nuk është e mundur që në ndeshje të thjesht basketbolli të depërtohet kordoni policor, e lëre më para parlamentit, para të cilit disa ditë kishte protesta dhe policia ishte e përgatitur për të ndërhyrë. Rasti as nuk u hodh poshtë e as nuk u dëshmua se ngjarjet në Kuvend nuk ishin të organizuara, por për këto ngjarje u bë kërkesë për mëshirë nga shteti.
Personalisht kam menduar se të akuzuarit do të shkojnë deri në fund për të vërtetuar se nuk janë fajtorë në këtë rast”, deklaroi Ilija Tërpkov, gjykatës në Gjykatën Penale- Shkup.
Përveç që tha se ai personalisht nuk është për amnistinë që vetë e ka konfirmuar sot, Tërpkov thotë se në Kuvend po bëhen ligje për t’i kënaqur disa njerëz dhe se kjo është diçka që dihet gjerësisht.
“Është e qartë për gjithë opinionin maqedonas se në cilin drejtim po merren ligjet dhe si interpretohen ato. Për opinionin maqedonas është mjaft e qartë se kujt po i ndihmojnë ligjet dhe në favor të kujt po interpretohen, sigurisht që nuk po interpretohen në favor të atyre individëve të përfshirë në ngjarjet në Kuvend që ndodhen në burgjet e Maqedonisë”, tha Ilija Tërpkov, gjykatës në Gjykatën Penale- Shkup.
Përkundër këtij arsyetimi të qartë, në fund Tërpkov merr vendim për lirimin e të akuzuarve.
“Duke marrë parasysh këtë, udhëzimet e Gjykatës së Apelit në Shkup lidhur me Ligjin për amnisti dhe qëndrimet e parashtruesit të autorizuar- Prokurorisë publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, më datë 20.12.2024… pra këtij këshilli nuk i mbetet gjë tjetër veçse të marrë vendim. Pranohet kërkesa për amnistinë e të akuzuarve Trajko Veljanovski, Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski”, u shpreh Ilija Tërpkov- gjykatës në Gjykatën Penale- Shkup.
Kjo do të thotë se të gjithë të akuzuarit në këtë rast janë shpallur të pafajshëm dhe se gjykatësi Ilija Tërpkov, në përpjekjen e tretë të mbrojtjes për amnisti, kësaj radhe ka vendosur në favor të tyre. Më parë, në vitin 2021, i njëjti gjykatës kishte miratuar aktgjykim për të gjithë të akuzuarit, por Gjykata e Apelit e ktheu lëndën për rigjykim. /Alsat.mk