Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e vdekjes si pasojë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!” ka shkruar Osmani në Facebook.
Më 24 shtator 2023, një grup i uniformuar i serbëve kreu sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në një pritë ishte vrarë fillimisht polici Afrim Bunjaku. E në aksionin pasues të Policisë së Kosovës, grupi u grumbullua në Manastir. Në luftime u vranë tre sulmues e pjesa tjetër e grupit iku.