Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë e cila nis sot e përfundon më të dielën, më 16 shkurt.
Presidenca ka njoftuar se gjatë qëndrimit të saj atje, Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.
Ndërkohë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk është bërë e ditur se me kë do të zhvillojë takime Kurti dhe mbi çfarë temash.
Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, diskutimet do të përqendrohen në sfidat aktuale të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve.
“Pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), rikonfirmon përkushtimin për stabilitetin dhe paqen ndërkombëtare, si dhe për thellimin e partneriteteve strategjike në adresimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Konferenca e Sigurisë në Munih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.
Osmani në takim me presidenten e Zvicrës: Do të punojmë ngushtë për të thelluar partneritetin
Presidentja, Vjosa Osmani, ka takuar presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter.
Takimi është mbajtur në Gjermani, ku Osmani po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC).
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Zvicra vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, me mërgatën që thuhet se luan një rol thelbësor në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona.
“Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me presidenten Keller-Sutter për ta thelluar edhe më tej partneritetin tonë në fusha të interesit të ndërsjellë, e për të mirën e të dy popujve tanë”, thuhet në njoftim.
Osmani takoi më pas anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit për të ardhmen euro-atlantike të shteteve dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim.