Osmani e quan të rrezikshme iniciativën “Ballkani i Hapur”, ka një paralajmërim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur” në rajonin ballkanik. E para e shtetit, gjatë qëndrimit në Gjermani, duke diskutuar për të ardhmen e Kosovës në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) paralajmëroi edhe aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Derisa tha se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë, por nuk pranojnë të diskutojnë për integritetin territorial, statusin e Kosovës dhe nivelin e tretë qeverisës, siç është asociacioni i komunave serbe në Kosovë.

Presidentja Osmani tha se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” po përpiqet ta zëvendësojë Procesin e Berlinit, kjo, sipas saj e vonon integrimin evropian dhe nuk duhet të ndodh.

Osmani: Iniciativa “Ballkani i Hapur” është i rrezikshëm

“Sa i përket iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, besojmë se ajo, jo vetëm që është një iniciativë e rrezikshme, por njëkohësisht synon vonimin e procesit të integrimit evropian të shteteve të regjionit. Si nga pikëpamja e sigurisë, si nga pikëpamja politike, ekonomike, apo nga pikëpamja e integrimeve evropiane, është absolutisht gjë e gabuar për regjionin, për këtë edhe Kosova, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina kanë refuzuar këtë iniciativë që nga fillimi. Kjo iniciativë, nëse mund ta quajë kështu, sepse nuk e dimë saktësisht çfarë është, ngase nuk ka pasur ndonjë dokument që u është dorëzuar vendeve të regjionit, njëkohësisht, nuk është gjithëpërfshirëse, e parimi i gjithëpërfshirës është parimi themelor[…]Kjo iniciativë e cila ka fillu në Novi Sad të Serbisë, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ta trajtoj Kosovën të barabartë me vendet e tjera të regjionit, dhe njëkohësisht, Serbia vazhdon ta mohojë të drejtën tonë për të ekzistuar…Ballkani i hapur është i rrezikshëm, i vonon integrimet evropiane, dhe synon të zëvendësojë procesin e Berlinit, gjë që është e pamundur, dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Osmani.

Nga Gjermania, presidentja Osmani i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ndërkohë, kritikoi palën serbe për mos hapjen e arkivave dhe gjetjet e lokacioneve për varrezat masive për të pagjeturit.