MINISTRI I JASHTËM SERB AS NJË “U” PËR SITUATËN NË UKRAINË
Konflikti në Ukrainë mund të ketë ndikim politik në vendet e Ballkanit Perëndimor – “thembra e Akilit” e Evropës, vlerëson Ministri Bujar Osmani, duke bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim rajonal në mënyrë që të parandalohen faktorët e dëmshëm gjeopolitikë vendas ose të huaj. Nga Kievi, për momentin i rrethuar nga forcat ruse, kërkohet mënyrë që të tërhiqen dy diplomatë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ndihmë për largim nga Ukraina kanë kërkuar edhe shtetas të Maqedonisë së Veriut nga lindja e vendit dhe nga Odesa.
Ministri i Jashtëm serb Nikolla Selakoviq në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë së RMV-së Bujar Osmanin në Shkup, iu shmang pyetjeve të gazetarëve, duke mos e shprehur qëndrimin e vendit të tij për invazionin rus në Ukrainë.
Osmani, duke e përshkruar Ballkanin si “pikën e dobët dhe pjesën e zbuluar të BE-së” shefi i diplomacisë Bujar Osmani, përveç pasojave ekonomike nga lufta në Ukrainë – rritja e çmimit të burimeve të energjisë, por edhe të ushqimit, nuk përjashton pasoja të mundshme politike.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Konflikti do të ketë pasoja serioze në arkitekturën evropiane të sigurisë, në gjithë kontinentin. Më së shumti manifestohet në pikat e dobëta. Ballkani është pjesa e zbuluar e BE-së, plaga e BE-së, “thembra e Akilit”. Sigurisht që janë të mundshme implikime dhe përpjekje nga faktorët e jashtëm gjeopolitikë, por edhe faktorë rajonalë që mund ta shfrytëzojnë këtë kaos për qëllimet e tyre. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.”
Maqedonia e Veriut për momentin nuk është nën kërcënimin e sigurisë, gjë për të cilën më shumë ka ndihmuar anëtarësimi në NATO, thotë Osmani.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Fakti që jemi vend anëtar i NATO-s është dallim i madh në cilësi. Edhe në qasjen në informacione që e kemi. Ne bukvalisht në kohë reale i kemi ditur të gjithë hapat e Moskës, që para dy javësh. Kjo jep mundësi të merrni vendime të mirëinformuara, të përgatiteni për të gjitha pasojat. NATO- ja është aleancë e cila kujdeset për çdo metër katror territor të vendeve të saj anëtare.”
Duke qenë se kryeqyteti i Ukarainës për momentin është i rrethuar nga forcat ushtarake ruse, në qytet ndodhen ambasadori i Maqedonisë së Veriut Krum Efremov dhe një diplomat tjetër, largimi i të cilëve planifikohet me autokolonën drejt Polonisë së bashku me 20 ambasadorë të tjerë evropianë të cilët për momentin janë në Kiev. Ndihmë për ta lëshuar vendin kanë kërkuar edhe persona në lindje të Ukrainës dhe në Odesa, të cilët deri më tani nuk u janë përgjigjur thirrjeve për ta lëshuar vendin më herët./KlanMacedonia/