Osmani në t akim për sigurinë kibernetike globale

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, mori pjesë në takim me temë: “Formësimi i sigurisë kibernetike globale –Thirrje për aksion për promovimin e sjelljes së përgjegjshme të shtetit dhe ndërtimin e sapaciteteve“, nikoqir të së cilit ishin Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Francës, Katerin Kolona.

Në fokus të diskutimeve ishin sfidat e sigurisë në hapësirën kibernetike si kërcënim serioz për rendin ekzistues ndërkombëtar. Njëherazi, u theksua nevoja për Marrëveshje efektiv multilaterale dhe shkëmbim strategjik të informacioneve dhe përvojave, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s, me qëllim ballafaqimin dhe tejkalimin e suksesshëm të kërcënimeve kibernetike që po bëhen gjithnjë e më të shumta, më të larmishme dhe më të sofistikuara.

Në fjalimin e tij, Ministri Osmani iu referua sfidave në hapësirën kibernetike me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut, duke theksuar se sulmet kibernetike janë karakteristikë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, trend ky që veçanërisht u intensifikua pas fillimit të invazionit ushtarak rus në Ukrainë. Osmani iu referua edhe rreziqeve lidhur me kërcënimet hibride, siç janë aktivitetet keqdashëse kibernetike, të cilat kanë për qëllim ta destabilizojnë shtetin dhe të shkaktojnë pasiguri te qytetarët.“Strategjia nacionale për siguri kibernetike është një nga shtyllat e sistemit për forcimin e kapaciteteve për mbrojtje kibernetike, mbrojtje të infrastrukturës kritike të informacionit, ngritjen e vetëdijes për sigurinë e informacionit dhe kulturën e sigurisë së të gjithë vepruesve në hapësirën kibernetike. Maqedonia e Veriut në vazhdimësi bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara – sektorin e biznesit, komunitetin hulumtues dhe akademik, si dhe me shoqërinë civile, për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për këto sfida”, përfundoi Osmani.

Duke theksuar mundësitë dhe përfitimet e pakufizuara të teknologjisë digjitale në jetën tonë bashkëkohore, ministri Osmani theksoi se vendi ynë angazhohet për një mjedis të lirë, të hapur, paqësor dhe të sigurt në përdorimin e teknologjisë informative. (INA)