Osmani në takimin joformal të ministrave të NATO-s në Berlin

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot dhe nesër në Berlin do të marrë pjesë në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Bisedimet do të fokusohen në pushtimin ushtarak rus të Ukrainës, implikimet e mundshme të luftës ndaj aleatëve, duke përfshirë rreziqet e sigurisë dhe mbrojtjen e ardhshme të NATO-s, si dhe samitin e ardhshëm të liderëve në Madrid.

Në takim janë të ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, të cilët do të informojnë për zhvillimet e fundit, përfitimet dhe implikimet në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të ardhshëm të këtyre dy vendeve në Aleancë.

Në margjinat e takimit, ministri Osmani pritet të ketë takime bilaterale me ministrat e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba dhe Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, si dhe me homologë të tjerë. (INA)