Osmani nga Sofja: Serbia ka përdorur taktikën e pengimit të dialogut

Lidhur me kërcënimin e Serbisë që nuk dëshiron të vazhdojë më me dialogun për shkak të asociacionit, Osmani tha se BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë te Serbia se nuk mund dhe nuk guxon ta bllokojë dialogun.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev.

Krerët e të dyja shteteve kanë diskutuar për çështjet e agjendës dypalëshe dhe rajonale, perspektivën evropiane të Kosovës dhe mënyrat për të nxitur bashkëpunimin në ekonomi, investime, energji dhe transport.

Osmani ka thënë se Kosova aspiron të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërkohë që presidenti bullgar premtoi mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Mes të tjerash, presidentja Osmani shprehi gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë në aspektin e investimeve të ndërsjella.

“Jemi të gatshëm ta thellojmë këtë bashkëpunim mes popujve dhe vendeve tona. Kosova po kalon nëpër reforma të thella ekonomike dhe për të drejtat e njeriut. Kemi më shumë se 100 investitorë bullgarë në Kosovë dhe vendi ynë ka potencial shumë të madh për investime. Dhe Bullgaria mund të investojë shumë”, deklaroi Osmani.

Në pyetjen nga mediat se cila është përgjigjja e Kosovës pas kërcënimit të Serbisë që nuk dëshiron të vazhdojë më me dialogun për shkak të asociacionit, Osmani tha se BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë te Serbia se nuk mund dhe nuk guxon ta bllokojë dialogun.

“Është koha që lehtësuesit e dialogut, në këtë rast, Bashkimi Evropian, ta kuptojë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit nëpërmet pjesëmarrjes. Ata në tryezën e takimeve vijnë për të krijuar kushtëzime, pengesa nëpërmet të cilave mund ta zgjasin procesin e dialogut përjetësisht. Sepse kjo është mënyra të cilën e dëshirojnë ta bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Osmani duke shpresuar se Bashkimi Evropian do të jetë i qartë në mesazhet të cilët do t’ia dërgojë Serbisë, se nuk mund dhe nuk guxojnë të bllokojnë dialogun.

Nga ana tjetër, presidenti bullgar Radev tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të zbatueshme.

Teksa ka thënë se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë perspektivën e integrimit evropian dhe të mbrojë aspektet e sigurisë dhe se do të mbështesë Kosovën edhe në Këshillin Evropian.

“Bullgaria e mbështet plotësisht perspektiven e Kosovës në BE. Bullgaria ka qenë gjithmonë njëra nga mbështetësit më të mëdhenj të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe motori shtytës i Ballkanit perëndimor në këtë rrugëtim, e cila ka nisur në Kosovë më 2008, kur Bullgaria ka qenë një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Radev.

Ai theksoi se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë perspektivën e integrimit evropian dhe të mbrojë aspektet e sigurisë, si dhe të mbështesë Kosovën edhe në Këshillin Evropian.