Ovacione për Edi Ramën në Shkup dhe zemërimi i maqedonasve pas deklaratës së Marta Kos: një kontrast mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

Picture of INA
INA

02/07/2025

Shkruan: Sonja Kramarska/DW

Titulli nuk është gabim, por një përshtypje nga mënyra se si u prit në Shkup, të hënën dhe të martën (30.06/1.07), kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai, në Çarshinë e Vjetër të njohur të Shkupit, u prit si atraksion turistik dhe politik njëkohësisht. Rrjetet sociale shpërthyen me fotografitë e vizitave të tij në Çarshi dhe në Çair. Mori gjashtë herë më shumë “pëlqime” se, për shembull, nikoqiri i tij, kryeministri Hristijan Mickoski – madje edhe në terrenin e vet.

Komentuesit nën postimet e Ramës në Facebook e ngritën atë në qiell:
“Asnjë politikan shqiptar deri më sot nuk ka folur ballë për ballë me Evropën”;
“Shqipëria ishte e panjohur në Evropë derisa ju dolët në skenë”;
“Ju do t’u jepni pasaporta evropiane vëllezërve shqiptarë në Maqedoni”;
“Çdo ditë e re e ngrit më lart emrin e Shqipërisë”;
“Lëkundi byrokratët shqiptarë këtu që e kthyen mbrapa Maqedoninë”;
“I vetmi politikan shqiptar që ka bërë histori.”
Komplimentet vinin nga të gjitha anët, duke e quajtur Ramën mbret të politikës rajonale dhe të vetmin që bisedon krah për krah me krerët e Evropës.

Ky shpërthim emocionesh padyshim vjen nga përparimi që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt BE-së dhe nga deklaratat e liderëve evropianë se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, mund të bëhet shpejt pjesë e familjes zyrtare evropiane. Në të njëjtën kohë, ndërsa në rrjetet sociale radhiteshin superlativët për Ramën, spektri politik maqedonas merrej me deklaratën e eurokomisares Marta Kos për identitetin. Formulimi i saj i pafat, në të cilin ajo dha një deklaratë poetike në vend të një politike, me qëllim të dukshëm për të shmangur terrenin e rrëshqitshëm, ndezi debatet dhe goditi rëndë idenë evropiane në Maqedoni.

Në një vështrim më të gjerë, ovacionet për Edi Ramën si udhëheqës i shqiptarëve në rrugën drejt Evropës dhe ndjenja e viktimizimit që përfshiu maqedonasit pas deklaratës së Kos, treguan kontrastin mes atmosferës politike në Maqedoni dhe asaj në Shqipëri: pasiguria në Maqedoni, dhe shpresa në Shqipëri.

Paradoksi i Shqipërisë

Kjo çështje tashmë është bërë e sikletshme për Maqedoninë, sepse pritshmëritë gjithmonë kanë qenë se ne jemi përpara Shqipërisë dhe se Shqipëria është fqinji ynë i varfër, të cilit një ditë do t’i ndihmojmë të njihet me Evropën. Por ndodhi e kundërta. Dhe kjo mund t’i atribuohet pjesërisht fatkeqësisë, apo tersit në rastin e Maqedonisë, por po aq i rëndësishëm është edhe lidershipi – sepse, nëse në timon janë njerëz jokompetentë ose të motivuar vetëm nga interesi personal e partiak, atëherë rrota fillon të kthehet prapa në vend që të ecë përpara.

Mendoj se pikërisht kjo i ndodhi Maqedonisë.

Shqipëria ishte më pas se ne, por arriti në kohë t’i njohë interesat e veta. Edi Rama është një figurë që e udhëheq Shqipërinë drejt BE-së. Dhe për këtë arsye, ai është pranuar nga bota shqiptare në rajon si një fitues, lider dhe pikë drite në dekada të politikës së errët dhe korrupsionit demokratik.

Edhe për analistët, qeverisja e Ramës është e mbushur me kontradikta dhe skandale korrupsioni. Muajin e kaluar, një portal shqiptar publikoi një analizë për të me titullin “Dy fytyrat e kryeministrit të Shqipërisë”, duke e portretizuar si një njeri që, ndërsa merr ovacione në metropolet evropiane, një ministër i tij i afërt ikën jashtë vendit për t’i shpëtuar akuzave. Dhe ndërkohë që diskuton për reforma me liderët evropianë, zëvendëskryeministri i tij i mëparshëm fshihet në Zvicër, i kërkuar për përvetësim të qindra milionëve. Ose, siç thuhet në analizë, Shqipëria është një vend paradoksesh që jeton dy realitete paralele: një që i paraqitet aleatëve perëndimorë dhe një tjetër që e jetojnë shqiptarët.

Tirana, destinacion i ri

Por, në Shqipëri, ndryshe nga këtu ku kryeministrat nuk japin dorëheqje e as nuk japin ministra, kanë rënë dhe janë dënuar disa ministra të afërt me Ramën: ministri i Brendshëm për trafik droge, ministrja e Shëndetësisë për abuzim me fondet evropiane, ministri i Mjedisit për korrupsion, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave kanë ikur të ndjekur nga prokuroria, etj. Është e dukshme se me Edi Ramën, këto dy botë paralele – korrupsioni nga njëra anë dhe shoqëria që synon vlerat evropiane nga ana tjetër – janë bashkuar në një ide të përbashkët: rrëfimin evropian. A do të pajtohen këto botë kontradiktore? Me siguri që jo, por Rama, i cili vetë nuk i shmanget dot lidhjeve me korrupsionin, po i drejton me sukses drejt një qëllimi të përbashkët.

Kryeministri shqiptar, dukshëm, e ka kuptuar rëndësinë e Bashkimit Evropian për vendin e tij dhe e ka kthyer atë në një përparësi personale që e ka transformuar nga politikan ballkanik në politikan evropian. Takimi i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, në maj, ishte dëshmi për këtë. Në atë samit parakaluan emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare, nga Ursula von der Leyen, Antonio Costa, Mark Rutte, Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Giorgia Meloni, Keir Starmer, deri te Volodymyr Zelensky – duke e shënuar kështu Tiranën si destinacionin e ri të politikës evropiane.

Vetë Rama, për të treguar përparimin që ka bërë Shqipëria, një ditë pas takimit postoi një fotografi të montuar për qytetarët e tij, ku në pjesën e sipërme shfaqeshin skena nga protestat e vitit 1996 në shesh, dhe në pjesën e poshtme një foto e tanishme nga i njëjti vend me krerët evropianë në Tiranë. Qëllimi ishte i qartë: shikoni çfarë ishte dikur Shqipëria, dhe çfarë është tani nën drejtimin tim.

Është paralajmëruar gjithashtu se Samiti i ardhshëm i NATO-s në vitin 2027 do të mbahet në Tiranë – si një dëshmi se vendi tashmë ka fituar kapacitetin dhe reputacionin për të qenë mikpritës i ngjarjeve më të larta ndërkombëtare.

Ne, këtu në Maqedoni, kemi gjetur mijëra arsye pse kemi mbetur mbrapa Shqipërisë. Por në të vërtetë, duhet të punojmë për të afirmuar arsyet pse duhet të ecim përpara.DW

TË FUNDIT

Një urim ndryshe nga Xhensila për ditëlindjen e Ledrit

ASH: Rezoluta e BE-së alarmon për ndikimin serbo-rus, Brukseli e kuptoi, a e kupton edhe VLEN?

Mickoski: Janë arrestuar disa persona për shkaktimin e zjarreve – po luftojmë me stuhinë e zjarrit

BDI: Shqiptarët po përjashtohen, në Agjencinë për Siguri Kombëtare rezultati është 40:1

Maksi i ZNAM-it me tone të ashpra nacionaliste pas raportit të Parlamentit Evropian

Ndryshimi i madh në fluturime brenda zonës Schengen, mjafton vetëm bileta e avionit

ME TE LEXUARA

1
Një urim ndryshe nga Xhensila për ditëlindjen e Ledrit
1
ASH: Rezoluta e BE-së alarmon për ndikimin serbo-rus, Brukseli e kuptoi, a e kupton edhe VLEN?
1
Mickoski: Janë arrestuar disa persona për shkaktimin e zjarreve – po luftojmë me stuhinë e zjarrit
1
BDI: Shqiptarët po përjashtohen, në Agjencinë për Siguri Kombëtare rezultati është 40:1
1
Maksi i ZNAM-it me tone të ashpra nacionaliste pas raportit të Parlamentit Evropian

LEXO MË SHUMË

Një urim ndryshe nga Xhensila për ditëlindjen e Ledrit

ASH: Rezoluta e BE-së alarmon për ndikimin serbo-rus, Brukseli e kuptoi, a e kupton edhe VLEN?

Mickoski: Janë arrestuar disa persona për shkaktimin e zjarreve – po luftojmë me stuhinë e zjarrit

BDI: Shqiptarët po përjashtohen, në Agjencinë për Siguri Kombëtare rezultati është 40:1

Maksi i ZNAM-it me tone të ashpra nacionaliste pas raportit të Parlamentit Evropian

Ndryshimi i madh në fluturime brenda zonës Schengen, mjafton vetëm bileta e avionit