Pa dallim partive që u takojmë, në Kuvend duhet bashkë ta mbrojmë pozitën e gruas në shoqëri

0

Nga Ilire Dauti

Përshëndetje të përzemërta fillimisht për ambasadoren e SHBA–së këtu në Maqedoninë e Veriut znj. Byrnes, organizatoret e këtij takimi virtual, si dhe koleget e mia deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që janë në këtë takim.

Ky realisht është mandati i parë i imi si deputete, por njëkohësisht ky është edhe takimi i parë me koleget e mia ku ne gratë deputete po bisedojmë për lidershipin e grave, sigurisht përveç takimeve që kemi në kuadër të komisioneve që funksionojnë në kuadër të Kuvendit apo seancave plenare.

Pamvarësisht që ne atje mbrojmë qëndrimet tona sipas bindjeve politike që kemi, sepse jo rastësisht edhe kontribojmë në kuadër të partive të ndryshme politike, ka diçka që unë mendoj që të gjitha duhet ta mbrojm bashkë dhe fuqishëm, e ajo është pozita e gruas në përgjithësi dhe mbështetja që duhet ta japim për fuqizimin e rolit të saj në vendimmarrje. Ne realisht duam prandaj edhe flasim për lidership të grave, por Qeveria e shtetit tonë në pozita udhëheqëse ka shumë pak gra dhe kjo sigurisht neve nuk na bën të ndihemi mirë.

Nga gjithsej 19 Ministra pa mos e llogaritur kryeministrin vetëm katër janë të gjinisë femërore ndërsa nga gjithë partitë shqiptare që janë pjesë e kësaj qeverie nuk ka as edhe një të vetme femër. E jo vetëm kaq por partia shqiptare që ka numrin më të madh të ministrave në Qeveri jo vetëm që nuk ka të emëruar ministre por nuk ka as asnjë zv. ministre. Ne mund edhe mos e themi këtë sepse nuk duam askush të ndihet keq por kjo është kjo. E kjo nuk duhet të ndodh në asnjë rrethan por sidomos nuk duhej të ndodhte në një kohë si kjo e pandemisë globale që mendoj se vendimeve të Qeverisë ju duhet ndjeshmëria dhe zgjuarsia e femrës. Prandaj takimet e këtilla ku flitet për iniciativa të përbashkëta të grave janë jo vetëm të nevojshme, por janë edhe shumë urgjente duke parë realitetin që fillon nga ekzekutivi e që shtrihet më poshtë në të gjithë strukturën organizative të shtetit që na bën seriozisht të mendojmë që femra është pjesë e fushatave elektorale por jo pastaj edhe pjesë e ekzekutivit ashtu siç do duhej të ishte. Dhe për të mos e zgjatur më shumë sepse tema është e atillë që të merr me vete dua ta përmbyll me diçka në të cilën besoj fuqishëm e ajo është që: kurrë një shoqëri nuk mund të jetë mjaftueshëm e zhvilluar nëqoftëse nuk i shfrytëzon gjysmat e kapaciteteve të veta. Faleminderit edhe njëherë për mundësinë!

(Fjalim i deputetes së ASH-së në takimin virtual me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shkup)