Pa shenja kompromisi rreth rihapjes së qeverisë amerikane

0

Presidenti, Donald Trump dhe udhëheqësit demokrat të Kongresit, e bënë të qartë të martën në paraqitjet e tyre televizive, se ndërsa secila palë mbështet përpjekjet për sigurinë kufitare, mbeten ende shumë larg në qëndrimet rreth shkallës dhe kostos së atyre masave.

Bllokada ka mbyllur një të katërtën e qeverisë federale që nga 22 dhjetori.

Presidenti Trump tha në fjalimin e tij në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”. Ai tha se çështja mund të zgjidhet në një takim të shpejtë dhe se ka ftuar për bisedime të mërkurën udhëheqësit e Kongresit.

Në përgjigjen e tyre ndaj fjalimit të presidentit Trump, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, vunë theksin tek numri i ligjeve mbi shpenzimet që ligjvënësit tashmë i kanë miratuar, që do të mundësonin rihapjen e qeverisë dhe do të siguronin fondet për sigurinë kufitare. Ata thanë se mbyllja e qeverisë po vazhdon vetëm për shkak se presidenti Trump po refuzon të heqë dorë nga kërkesa prej 5.7 miliardë dollarësh për një mur në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që sipas tyre do të jetë i shtrenjtë dhe i pafrytshëm.

Presidenti Trump tha në fjalimin e tij se mosngritja e murit po rrezikon amerikanët që të jenë viktima të dhunës në duart e atyre që po hyjnë në vend në rrugë të paligjshme dhe i rrezikon ata duke lejuar hyrjen e sasive të mëdha të narkotikëve të paligjshëm.