Pagesa e pensioneve nga 26 nëntori

0

Qeveria sot në seancë e shqyrtoi dhe miratoi informacionin për pagesën e pensioneve për muajin nëntor të vitit 2020 dhe e obligoi Fondin për sigurim pensional dhe invalidor më së voni deri nesër t’i dorëzojë të dhënat për pensionet deri tek bankat afariste.

Bankave afariste, Qeveria u rekomandoi të sigurojnë që pensionistët nga 26 nëntori të mund të disponojnë me pensionet e nëntorit përmes rrjetit të bankomateve dhe në rrjetin tregtar.

“Bankat afariste përmes filialeve dhe ekspoziturave të bankave do të sigurojnë pagesë në të gatshme të pensioneve për klientët të cilët nuk kanë kartela, në katër grupe sipas orarit në vijim të përbërë sipas vlerës së pensionit: për pensionet me vlerë deri në 11.000 denarë pagesa do të bëhet më 26 nëntor – e enjte, për pensionet me vlerë prej 11.001-14.000 denarë pagesa do të kryhet më 27 nëntor – e premte, për pensionet në vlerë prej 14.001-18.000, pagesa do të bëhet më 30 nëntor – e hënë dhe për pensionet me vlerë prej mbi 18.001 denarë, pagesa do të bëhet më 1 dhjetor – e martë”, kumtoi Qeveria.

Në seancën e sotme është miratuar edhe Informacioni për zbatimin e furnizimit publik të insulinës, glukagonit, gjilpërave të insulinës dhe shiritave për matjen e sheqerit dhe pompa të insulinës me material shpenzues për periudhën dhjetor 2020 – dhjetor 2022 për nevojat e popullatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.