Pakti për detin vë Metën përballë Ramës, presidenti thërret në ndihmë Berishën, vendos kusht pjesëmarrjen e opozitës në negociata

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka hedhur dje hapin final sa i takon marrëveshjes së detit me Greqinë. Përmes një shkrese kreu i diplomacisë shqiptare ka kërkuar nga Presidentit Meta, që t’i delegojë atij fuqinë për të nisur bisedimet me Greqinë për kufirin detar. Ndërkohë shkresa i është dërguar për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama. Por kjo kërkesë pritet të përplasë palët, pasi Meta mësohet se ka vendosur 3 kushte. I pari është që të angazhohen ekspertët e Presidencës në negociata. Madje, është mësuar gjithashtu se Presidenti Meta i ka kërkuar qeverisë që gjatë procesit të negociatave të ketë përfaqësues dhe nga opozita. Kurse kushti tjetër lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen. Meta ka kërkuar që marrëveshja e negociatave me Greqinë të firmoset nga ai vetë. Pra duket qartë se Meta ka filluar të përdorë fuqinë e tij kundër mazhorancës. Kjo sepse, në vendimin që ka marrë Gjykata Kushtetuese në vitin 2009 kur rrëzoi paktin që firmosi Berisha e Basha, deklaroi se në bazë të ligjit marrëveshje të tilla ka të drejtë t’i nënshkruajë vetëm Presidenti i Republikës, dhe se vetëm ai mund t’i japë qeverisë plotfuqi për të negociuar. Sakaq, ngelet për tu parë veprimi i ministrit Bushati në lidhje me këtë kërkesë, ndonëse mundësia e një konflikti mes Presidentit Meta dhe mazhorancës ka filluar të jap shkëndijat e para.

Meta nis takimet për negociatat me Greqinë

Pas shkresës së dërguar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Meta ka nisur menjëherë konsultimet me demokratët. Ai priti dje në një takim kokë më kokë ish-Presidenti Bujar Nishani ku u konsultua mbi veprimin që do të ndërmarrë. Një gjë të tillë e konfirmoi vetë Presidenca, e cila pohoi gjithashtu se Meta do të konsultohet edhe më ish-presidentë të tjerë. “Sot në 08:00 Meta ka pritur Bujar Nishanin për t’u konsultuar. Meta do të konsultohet edhe me ish Presidentët e tjerë këto ditë”, pohoi Presidenca dje për mediat. Ndërkohë pasdite ai zhvilloi  një takim edhe me Bamir Topin. Por në kuadër të takimeve konsultative që po organizon Meta me ish-presidentët, gazeta ka mësuar se një ndër këta personalitete që do të konsultohet me Presidentin do të jetë dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Një nga iniciatorët e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009-ën që u rrëzua nga Kushtetuesja. Por pavarësisht kësaj, takimi me Berishën do të bëhet në kuadrin e cilësisë si ish-President i Republikës dhe do të zhvillohet gjatë ditës së sotme. Duket se në përballjen me Ramën, Meta ka thërritur në ndihmë Berishën.

Paralajmërimi i Metës

Presidenti Meta ka paralajmëruar bllokimin e negociatave me Greqinë. Kjo sepse një gjë të tillë ai e pohoi edhe pak ditë më parë, duke deklaruar në mënyrë të nënkuptuar, se po e ndjek me kujdes marrëveshjen e detit me Greqinë. “Unë jam duke ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes, por jo me nxitim, këtë çështje të rëndësishme dhe si President i Republikës do të veproj konform Kushtetutës ndaj kësaj çështjeje”, tha ai pak ditë më parë. Ndërkohë më i drejtpërdrejtë ka qenë këshilltari i Presidentit, zoti Ilir Kulla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale po gjatë kësaj dite, ka lënë të nënkuptohet se Presidenti do të bllokojë paktin me Greqinë. “Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, asnjë marrëveshje nuk është e ligjshme pa Presidentin e Republikës. Prisni, mos u nxitoni!”, tha ai./Endri ARIZI