Panairi i Librit këtë vit do të mbahet në sallën “Boris Trajkovski”

Edicioni i tridhjetë jubilar i Panairit të Librit do të mbahet në sallën “Boris Trajkovski”, thonë nga Ministria e Kulturës për “Nezavisen Vesnik”, transmeton Portalb.mk.

“Nuk do ta lejojmë zhdukjen e kulturës së leximit, do t’ju ndihmojmë shtëpive botuese dhe dashamirësve të librit. Panairi i librit këtë vit do të mbahet në sallën Boris Trajkovski, ku Ministria e Kulturës tashmë ka biseduar me udhëheqësinë, te e cila ekziston dëshirë e madhe për t’u takuar me dashamirësit e librit dhe shtëpitë botuese, Panairi i Librit do të mbahet në sallën më të madhe e cila ofron hapësira multifunksionale dhe i përshtatet manifestimit”, deklaruan nga Ministria.

Ato në ditët e ardhshme do të organizojnë më shumë takime me organizatorët dhe shoqatat e shtëpive botuese për aspekte më konkrete të organizimit të Panairit dhe sigurimin e përkrahjes së nevojshme.

“Nëse nuk tejkalohet problemi me sigurimin e hapësirës së Panairit në qytet, Ministria në vazhdimësi do të vazhdojë të krijojë kushte që ky manifestim i rëndësishëm të vazhdojë të mbahet, të zhvillohet dhe t’i plotësojë nevojat kulturore të qytetarëve tanë”, thonë nga Ministria. /Portalb/