“Ndërlidhja e hendekut në besim me qëllim të përparimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, është titulluar panel-diskutimi që në organizim të Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik do të mbahet sot në Shkup.
Në panel-diskutim është paralajmëruar pjesëmarrja e ministrit të punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme Timço Mucunski, Maida Gorçeviq, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për politika evropiane dhe Marko Makovec, shef i Kabinetit të komisares evropiane për zgjerim Marta Kos.
Ngjarja e cila mbahet ditën e njejtë kur edhe takimi i liderëve BE-Ballkani Perëndimor në Shkup për Planin e ri për rritje të Ballkanit Perëndimor, do t’i hetojë karakteristikat dhe implikimet e Planit të rritjes dhe do ta vlerësojë potencialin e tij për përshpejtimin e konvergjencës, thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe rigjallërimin e procesit të zgjerimit.
“Pas publikimit të raportit të ri të Qendrës Evropiane të Këshillit të Atlantikut mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ky aktivitet do të shqyrtojë nëse qasja e BE-së mund të sjellë përfitime të prekshme, të nxisë vullnetin politik dhe të kundërshtojë ndikimet e jashtme të dëmshme në një kohë të konkurrencës së shtuar gjeopolitike.
Përveç Planit të Rritjes, paneli do të trajtojë edhe skepticizmin më të gjerë në lidhje me zgjerimin, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet e BE-së, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Nga njëra anë, ka dyshime në lidhje me angazhimin e qeverive të Ballkanit Perëndimor për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të zgjidhur çështjet dypalëshe me fqinjët e tyre. Nga ana tjetër, ekziston një perceptim në disa vende të rajonit se procesi i zgjerimit është ngadalësuar ndjeshëm dhe se i mungon një sistem konkret i bazuar në merita.
Ngjarja është pjesë e nismës #BalkansForward Initiative e Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik, e cila promovon rendin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit euroatlantik.